BallinaEKSKLUZIVEPISA 2025: Të rinjtë në Zvicër ndër më të mirët në matematikë...

PISA 2025: Të rinjtë në Zvicër ndër më të mirët në matematikë dhe lexim, por rezultatet janë në rënie

-

Zvicra vazhdon të renditet mbi mesataren e OECD-së në të tre fushat kryesore të vlerësuara nga PISA 2025. Megjithatë, rezultatet tregojnë një tendencë shqetësuese: aftësitë në matematikë dhe lexim kanë shënuar rënie gjatë viteve të fundit, transmeton 20min.ch. Rezultatet e reja të studimit ndërkombëtar PISA 2025 tregojnë se 15-vjeçarët në Zvicër vazhdojnë të kenë një nivel të lartë arsimor në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre në vendet e OECD-së.

Në matematikë, nxënësit zviceranë kanë arritur 499 pikë, krahasuar me një mesatare prej 463 pikësh në OECD. Ky rezultat e rendit Zvicrën ndër vendet më të suksesshme, me vetëm tre vende të OECD-së që kanë shënuar rezultat më të lartë. Edhe në shkencat natyrore, Zvicra paraqitet shumë mirë. Nxënësit kanë marrë mesatarisht 501 pikë, ndërsa mesatarja e OECD-së është 482 pikë. Në lexim, diferenca është më e vogël, por sërish në favor të Zvicrës. Të rinjtë zviceranë kanë arritur 470 pikë, kundrejt 461 pikëve të OECD-së. Një rezultat veçanërisht i fortë është shënuar edhe në zgjidhjen e problemeve të bazuara në modele, një fushë e matur për herë të parë. Zvicra ka marrë 520 pikë, ndërsa mesatarja e OECD-së është 500 pikë.

Rënie në matematikë dhe lexim

Pavarësisht rezultateve të mira në krahasimin ndërkombëtar, studimi ngre shqetësime për zhvillimin afatgjatë të performancës së nxënësve Gjatë dhjetë viteve të fundit, rezultatet në matematikë dhe lexim kanë ardhur në rënie. Në shkencat natyrore, ndërkohë, niveli i nxënësve zviceranë ka mbetur relativisht i qëndrueshëm. Rënia nuk është një fenomen vetëm zviceran. Një tendencë e ngjashme është vërejtur edhe në mesataren e vendeve të OECD-së.

Inteligjenca artificiale hyn gjithnjë e më shumë në shkolla

Studimi tregon gjithashtu ndryshime në mënyrën se si të rinjtë përdorin teknologjinë. Në Zvicër, mediat digjitale përdoren gjithnjë e më shumë për aktivitete mësimore, në një nivel të përafërt me mesataren e OECD-së. Një dallim vihet re në përdorimin e inteligjencës artificiale (AI). 15-vjeçarët në Zvicër e përdorin AI-në për aktivitete shkollore statistikisht më shpesh se bashkëmoshatarët e tyre në vendet e OECD-së.

Telefonat dhe rrjetet sociale, pjesë e përditshmërisë

Në kohën e lirë, smartphone-i vazhdon të luajë një rol qendror në jetën e të rinjve zviceranë. Shumica e tyre i përdorin telefonat çdo ditë ose pothuajse çdo ditë. Sipas rezultateve të PISA-s, gjatë ditëve të javës gati gjysma e nxënësve kalojnë nga një deri në tre orë në ditë në rrjetet sociale, ndërsa rreth një e treta e tyre kalon më shumë se tre orë. Rezultatet e PISA 2025 japin kështu një tablo me dy anë: Zvicra mbetet ndër vendet me performancën më të lartë arsimore, por rënia afatgjatë në matematikë dhe lexim tregon se sistemi arsimor përballet me sfida të rëndësishme për të ardhmen, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Reali e nis me tre pikë, Interi “fiket” nga dy gafa,...

0
Champions League ka nisur me spektakël dhe gola në mbrëmjen e parë të fazës së ligës. Vëmendjen kryesore e mori supersfida në “Santiago Bernabéu”,...