POSTIMET E FUNDIT

Përfundon Konferenca e 8-të Ndërqeveritare, Rama: Rekord hapja e kapitujve brenda 11 muajve

Pas përfundimit të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, e mbajtur ditën e sotme në Bruksel, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe zëvendësministren qipriote për Çështjet Evropiane, Marilena Raouna. Gjatë këtij komunikimi, kreu i qeverisë shqiptare paraqiti një bilanc të procesit negociues dhe reformave të ndërmarra në kuadër të shtetndërtimit.

Kryeministri Rama e ka përshkruar Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE si “fillimin e fundit” të rrugëtimit integrues, duke konfirmuar se Shqipëria është futur tashmë në fazën teknike të mbylljes së kapitujve. Në konferencën e përbashkët për shtyp, kreu i qeverisë shqiptare nuk e ka fshehur entuziazmin për përparimin e shpejtë, duke e krahasuar procesin me një “dashuri të pashtershme dhe pa kushte” të shqiptarëve ndaj Bashkimit Evropian.

Shifra dhe standard, nga 10 miliardë në 27 miliardë PBB

Duke u ndalur te impakti real i reformave, Rama bëri një krahasim të treguesve ekonomikë për të ilustruar ndryshimin rrënjësor të vendit në një dekadë.

“Sot kemi një vend me PBB mbi 27 miliardë euro nga 10 miliardë që ishte. Kemi një pagë mesatare në privat prej 912 euro dhe në publik rreth 1100 euro, nga 325 euro që ishte në fillim,” deklaroi Kryeministri. Sipas tij, këto shifra nuk janë thjesht statistika, por dëshmi e punës shtetndërtuese që po bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian.

Institucione të forta dhe drejtësi e pavarur

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Ramës iu dedikua konsolidimit të shtetit ligjor. Ai pranoi se “IBAR-i” (Raporti i Vlerësimit të Kushteve të Ndërmjetme) është kthyer në një temë më popullore se vetë ngjarjet sportive, duke e lidhur këtë me ndryshimin e realitetit në sistemin e drejtësisë.

“E nisëm me stigmën e kulturës së pandëshkueshmërisë, që sot duket si një epokë shekuj më parë. Kemi një sistem drejtësie të fuqizuar dhe më të pavarurin në historinë tonë,” shtoi ai, duke nënvizuar se puna me partnerët evropianë për ligjzbatimin ka qenë vendimtare për këtë metamorfozë institucionale.

Sfidat dhe objektivi brenda dekadës

Duke falënderuar Komisionin Evropian si një “kujdestar” që po ndihmon Shqipërinë në çdo hap të këtij procesi kompleks, Rama shprehu bindjen e tij të plotë se vendi do të jetë anëtar i BE-së brenda kësaj dekade.

“E dimë magnitudën e kësaj sfide dhe jemi gati. Të kesh Bashkimin Evropian nga ana jote është garancia se do t’ia dalim,” përfundoi Kryeministri, duke nënvizuar se ky rrugëtim është “i pakthyeshëm” dhe se ekipi qeveritar është plotësisht i angazhuar për të mbajtur ritmin që do ta çojë Shqipërinë përpara portave të anëtarësimit të plotë.

Vlerësimi i Brukselit nga ligjet te zbatimi

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, konfirmoi se Shqipëria është vendi i dytë kandidat pas Malit të Zi që përmbush këto kritere, duke vlerësuar punën dhjetëvjeçare si “të suksesshme”. Ajo veçoi SPAK-un si institucionin më të besuar në vend dhe theksoi se Bashkimi Evropian mbështet vizionin e qeverisë shqiptare për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Nga ana tjetër, Zëvendësministrja qipriote për Çështjet Evropiane, Marilena Raouna, në emër të Presidencës së Këshillit, paralajmëroi se faza pasuese do të jetë më sfiduese. “Progresi nuk matet vetëm me miratimin e reformave, por me zbatimin e tyre efektiv, me rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme,” deklaroi Raouna, duke kërkuar një konsensus gjithëpërfshirës mes forcave politike dhe shoqërisë civile, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB