Prishtinë – E ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së si të jashtëzakonshme, duke e cilësuar Kosovën si një nga vendet më pro-amerikane në botë. Ajo i bëri këto komente gjatë manifestimit festiv “Thank You USA”, të organizuar në Prishtinë me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Në fjalën e saj, Prattipati tha se përvoja e gjatë diplomatike në vende të ndryshme i ka dhënë mundësinë të krahasojë raportet që popujt kanë me Shtetet e Bashkuara, por theksoi se Kosova zë një vend të veçantë.
“Kam shërbyer dhe jetuar në shumë vende, por Kosova me të vërtetë është shteti më pro-amerikan në botë. Lidhjet ndërmjet popullit të Kosovës dhe SHBA-së janë të forta e të pashkatërrueshme. Kudo që shkoj, qytetarët më falënderojnë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për Kosovën dhe kjo më prek thellësisht,” u shpreh ajo.
Duke folur për partneritetin ndërmjet dy vendeve, Prattipati rikujtoi mbështetjen amerikane gjatë proceseve kyçe të shtetformimit të Kosovës. Ajo tha se SHBA-ja besonte që në vitin 1999 se Kosova ishte e destinuar të bëhej shtet, ndërsa në vitin 2008 mbështeti fuqishëm shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e një shteti sovran, demokratik dhe multietnik.
Sipas saj, gjatë viteve të fundit Kosova ka dëshmuar se është një partner dhe aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara.
Prattipati pranoi se ndër vite ka pasur edhe mospajtime në disa çështje, por nënvizoi se ato nuk kanë cenuar marrëdhëniet strategjike ndërmjet dy vendeve.
“Ne kemi qenë partnerë, kemi ndarë vlera të përbashkëta dhe kemi arritur shumë së bashku. Kemi parë Kosovën të zhvillohet dhe të mbështesë Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme ndërkombëtare. Lidhjet tona po bëhen më të forta çdo ditë,” deklaroi ajo.
Në përmbyllje të fjalës së saj, diplomatja amerikane shprehu bindjen se bashkëpunimi mes Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojë të thellohet edhe në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve njerëzore, kulturore dhe programeve të shkëmbimit si bazë e miqësisë afatgjatë.
Në ceremoni foli edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili vlerësoi miqësinë e ngushtë me Shtetet e Bashkuara.
“Prishtina dhe Kosova i duan Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne nuk e festojmë vetëm 4 Korrikun, por festojmë çdo ditë miqësinë tonë me SHBA-në dhe jemi mirënjohës për mbështetjen që kemi marrë ndër vite,” tha Rama. Manifestimi “Thank You USA” u organizua në kryeqytet për të shënuar Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, duke mbledhur përfaqësues institucionalë, diplomatë dhe qytetarë, në shenjë të partneritetit dhe miqësisë së gjatë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, transmeton rtk.




