Sot, studentët e semestrit të pestë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore, në kampusin e Tetovës, në kuadër të lëndës “Hyrje në Kriminalistikë”, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Blerta Ahmedi, realizuan mësim praktik në Laboratorin e Kriminalistikës.
Aktiviteti u përqendrua në temën “Identifikimi i personave – daktiloskopimi i personave të dyshuar në polici”, ku studentët patën mundësinë të njihen nga afër me procedurat e marrjes dhe regjistrimit të gjurmëve të gishtërinjve për qëllime identifikimi.

Gjithashtu, në kuadër të temës “Daktiloskopia”, studentët u njohën me metodat dhe teknikat kriminalistike të zbulimit, zhvillimit dhe fiksimit të gjurmëve daktiloskopike. Përmes simulimit të situatave praktike nga vendi i ngjarjes, ata aplikuan njohuritë teorike në identifikimin dhe përpunimin e gjurmëve të gishtërinjve.
Ky aktivitet synon ndërlidhjen e njohurive teorike me aftësitë praktike, duke u mundësuar studentëve të kuptojnë më mirë rëndësinë e metodave shkencore dhe teknikave kriminalistike në zbulimin dhe hetimin e veprave penale, transmeton UEJL, përcjell helveticALforum.ch.









