St. Gallen, 25 tetor 2026 – Në mbrëmjen e së shtunës, më 24 tetor 2026, në St. Gallen të Zvicrës siç mëson helveticALforum.ch u promovua libri “Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit”, me autor Adem Lushajn. Aktiviteti u organizua nën patronatin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë dhe Shoqatën Kulturore Shqiptare “Sharri”. Në këtë ngjarje kulturore dhe përkujtimore morën pjesë Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përfaqësues të konsullatës, krijues, veprimtarë dhe bashkatdhetarë nga Zvicra dhe vende të tjera evropiane. Në qendër të promovimit ishte rëndësia e dokumentimit të krimeve të luftës në Kosovë dhe ruajtja e dëshmive historike për brezat e ardhshëm. Libri i Adem Lushajt trajton rastin e Deçanit, duke sjellë në vëmendje dëshmi, rrëfime dhe përvoja të familjeve të prekura nga lufta.
Dokumentimi i së vërtetës historike, mision i rëndësishëm
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, vuri në pah rëndësinë e mbledhjes, sistemimit dhe ruajtjes së dëshmive për krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullatës civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë. Ai vlerësoi angazhimin e autorit Adem Lushaj në dokumentimin e këtyre ngjarjeve, duke theksuar se ruajtja e së vërtetës historike dhe përcjellja e saj te brezat e rinj përbëjnë një përgjegjësi të rëndësishme shoqërore e kombëtare. Berisha shprehu gjithashtu respekt për familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës dhe të gjithë ata që ranë gjatë luftës në Kosovë.

Deçani në fokusin e kujtesës historike
Për rëndësinë e veprës foli edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili trajtoi vlerën e dokumentimit të krimeve të luftës dhe rolin që botimet e tilla kanë në ruajtjen e kujtesës historike. Ndërkaq, autori Adem Lushaj prezantoi punën hulumtuese që qëndron pas librit, duke shpjeguar procesin e mbledhjes së dëshmive dhe rrëfimeve nga familjet e prekura nga lufta. Përmes këtij angazhimi, vepra synon të ruajë gjurmët e ngjarjeve tragjike dhe të kontribuojë në dokumentimin e përvojave të përjetuara nga popullata civile. Vlerësimet për dimensionin dokumentues dhe historik të librit i paraqiti edhe poeti Mentor Thaqi, i cili njëkohësisht moderoi aktivitetin. Promovimi vijoi me diskutime dhe bashkëbisedim ndërmjet autorit dhe pjesëmarrësve, të cilët patën mundësi të shkëmbenin mendime mbi rëndësinë e dokumentimit të historisë së luftës dhe ruajtjes së dëshmive për brezat e ardhshëm.

Kujtesa historike, përgjegjësi ndaj brezave
Promovimi i librit “Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” përbën një tjetër përpjekje për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive të popullit shqiptar dhe për të dokumentuar ngjarjet e dhimbshme të luftës në Kosovë. Veprimtari të tilla kulturore e historike në mërgatë dëshmojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, shoqatave shqiptare dhe krijuesve, me synimin që historia e Kosovës të ruhet dhe t’u përcillet brezave të rinj edhe jashtë atdheut. Në përmbyllje, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih shprehu mirënjohje për Shoqatën Kulturore Shqiptare “Sharri” për mikpritjen dhe bashkëpunimin, si dhe për të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti. Promovimi në St. Gallen shërbeu jo vetëm si një ngjarje letrare, por edhe si një moment reflektimi mbi rëndësinë e dëshmive historike, kujtesës kolektive dhe ruajtjes së së vërtetës për historinë e Kosovës, transmeton Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, përcjell helveticALforum.ch. (Përgatiti D. H)










