Është ndarë nga jeta këtë të premte Neki Dredha, ish-kryetar i Bashkisë së Vlorës në vitet 1998-2000 dhe babai i ish-kryebashkiakut të Vlorës, Ermal Dredha, tashmë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Zvicër.
Neki Dredha ishte mjek me profesion dhe një nga figurat e njohura të shëndetësisë në qytetin e Vlorës, ku shërbeu për vite me radhë me përkushtim në sistemin shëndetësor.
Përveç angazhimit në mjekësi, ai mbajti edhe detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, ndërsa në vitin 2013 u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi i Vlorës” për kontributin e tij në qytet.
Gjatë karrierës së tij, Dredha u angazhua edhe në fushën e letërsisë dhe publicistikës, duke botuar disa libra me karakter poetik dhe memorialistik. Një prej veprave të tij më të njohura është poema narrative “Labëria Magjike”. Ai është gjithashtu autor i shkrimeve kushtuar historisë së mjekësisë dhe figurave të shquara të shëndetësisë shqiptare. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka sjellë reagime dhe mesazhe ngushëllimi nga qytetarë, kolegë dhe përfaqësues të jetës publike në Vlorë, transmeton euronewsal.




