Cyrih, 23 qershor 2026 – Shefi i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, është nderuar me mirënjohje nga Instituti për Avancim Kombëtar (IPAK) me seli në Zvicër, për angazhimin dhe kontributin e tij në procesin e avancimit të statusit të Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih në Konsullatë të Përgjithshme. Mirënjohja iu dorëzua nga përfaqësuesi i IPAK-ut, Doc. Dr. med. Salih Sefa, ish-konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih, i cili kishte propozuar edhe ndarjen e këtij vlerësimi për punën dhe përkushtimin institucional të z. Berisha.
Sipas burimeve të portalit HelveticALForum.ch, ky vlerësim vjen si rezultat i një angazhimi të vazhdueshëm për forcimin e pranisë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës në Zvicër, një vend ku jeton dhe vepron një nga komunitetet më të mëdha të diasporës kosovare në Evropë.
Me rastin e pranimit të kësaj mirënjohjeje, z. Vigan Berisha u shpreh se ky vlerësim nuk i takon vetëm atij, por të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë proces të rëndësishëm institucional.
“Të nderuar me mirënjohjen e ndarë nga Instituti për Avancim Kombëtar (IPAK) në Zvicër, me propozimin e Doc. Dr. med. Salih Sefës. Kjo mirënjohje lidhet me angazhimet e ndërmarra në procesin e avancimit të statusit të Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih në Konsullatë të Përgjithshme, një arritje e rëndësishme institucionale që pasqyron forcimin e pranisë dhe përfaqësimit të Republikës së Kosovës në Zvicër. Këtë vlerësim e pranojmë me përulësi dhe e konsiderojmë si një vlerësim për punën e përbashkët të të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë proces”, deklaroi Berisha.
Ai shprehu gjithashtu falënderime për IPAK-un për konsideratën dhe vlerësimin e punës institucionale të realizuar gjatë viteve të fundit.
Nga ana e tij, Doc. Dr. med. Salih Sefa theksoi se avancimi i misionit konsullor në Konsullatë të Përgjithshme përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e përfaqësimit shtetëror të Kosovës në Zvicër dhe në ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët kosovarë që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet. Njohës të çështjeve të diasporës vlerësojnë se ngritja e statusit të përfaqësisë konsullore në Cyrih ka sjellë përfitime të shumta për komunitetin shqiptar dhe kosovar në Zvicër, duke lehtësuar qasjen në shërbimet konsullore dhe duke forcuar lidhjet institucionale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe mërgatës së saj.
Mirënjohja e ndarë nga IPAK konsiderohet si një vlerësim i rëndësishëm për përkushtimin institucional dhe për kontributin në forcimin e imazhit dhe përfaqësimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në Zvicër, ku diaspora shqiptare vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe kombëtare, transmeton helveticALForum.ch.




