POSTIMET E FUNDIT

Mësim në kushte tropikale: Vapë e padurueshme në shkollat zvicerane

Një valë e fortë të nxehti ka përfshirë Zvicrën dhe meteorologët parashikojnë që temperaturat në ditët në vijim të arrijnë deri në 38 gradë Celsius. Nxehtësia nuk po prek vetëm të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, por edhe mijëra nxënës që kalojnë orë të tëra në klasa të mbinxehura. Për këtë arsye, gazeta zvicerane 20 Minuten ka nisur një sfidë kombëtare për të gjetur klasën më të nxehtë në Zvicër. Redaksia dëshiron të tregojë se sa të vështira janë kushtet në disa shkolla dhe premton të sjellë një surprizë freskuese për fituesit.

Si mund të marrin pjesë nxënësit?

Nxënësit që dëshirojnë të marrin pjesë duhet të ndjekin disa hapa të thjeshtë:

  • Të marrin një termometër në shkollë dhe ta vendosin në një vend që nuk ekspozohet drejtpërdrejt ndaj rrezeve të diellit.
  • Të regjistrojnë një video të shkurtër ku shfaqet termometri dhe ambienti i klasës.
  • Të shënojnë temperaturën më të lartë të matur gjatë ditës së mësimit.
  • Videon ta dërgojnë me subjektin “Hitze-Challenge” në adresën elektronike të redaksisë së 20 Minuten, duke përfshirë informacionin se ku dhe kur është regjistruar videoja si dhe temperaturën maksimale të matur.

Afati i fundit për dërgimin e materialeve është e hëna, më 22 qershor, në orën 14:00.

Pas shqyrtimit të të gjitha videove, redaksia do të shpallë klasën më të nxehtë në Zvicër dhe do të organizojë një aktivitet special për të sjellë freski dhe lehtësim për nxënësit.

Nxehtësia ndikon edhe në rezultatet mësimore

Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e larta në klasa nuk janë vetëm të pakëndshme, por ndikojnë drejtpërdrejt edhe në përqendrimin, performancën dhe mirëqenien e nxënësve. Sipas organizatave të mësuesve në Zvicër, shumë ndërtesa shkollore nuk janë projektuar për t’i përballuar temperaturat ekstreme që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta gjatë verës.

Që në fund të muajit maj, organizata ombrellë e mësuesve zviceranë ka propozuar një model me tre nivele për menaxhimin e nxehtësisë në shkolla:

  • Deri në 26 gradë Celsius, mësimi vazhdon normalisht.
  • Nga 26 deri në 30 gradë, shkollat duhet të marrin masa organizative, si zhvendosja e orëve në ambiente më të freskëta, për shembull në bodrume ose salla të mbrojtura nga dielli.
  • Mbi 30 gradë Celsius, nuk duhet të zhvillohet më mësim i rregullt në klasë. Si alternativa sugjerohen aktivitete dhe mësim në ambiente më të freskëta, si pyjet, parqet ose hapësira të tjera natyrore.

Debati politik për shkollat e mbinxehura

Temperaturat e larta në shkolla janë bërë edhe çështje politike. Në qytetin e Cyrihut, Këshilli Bashkiak ka miratuar së fundmi një propozim të paraqitur nga Partia e Gjelbër, i cili kërkon masa konkrete kundër nxehtësisë në ndërtesat shkollore. Autoritetet e qytetit kanë afat dy vjet për të paraqitur një plan veprimi që synon përmirësimin e kushteve në shkolla gjatë muajve të verës. Masat mund të përfshijnë sisteme më të mira ventilimi, mbrojtje nga dielli, gjelbërim rreth ndërtesave dhe investime në infrastrukturë për të ulur temperaturat e brendshme. Ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten, pyetja mbetet e hapur: a ndodhet klasa më e nxehtë e Zvicrës pikërisht në shkollën tuaj?, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB