Cyrih, 29 tetor 2026 – Shefi i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, ka marrë pjesë në një koncert të organizuar në Cyrih me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Çekisë. Sipas informacioneve të publikuara nga helveticALforum.ch, takimi u zhvillua mbrëmjen e sotme, me ç’rast diplomati kosovar ishte i pranishëm në këtë ngjarje me ftesë të përfaqësuesve diplomatikë dhe institucionalë çekë në Zvicër. Në këtë aktivitet morën pjesë ambasadori i Republikës së Çekisë në Zvicër, Sh.T. z. Tomáš Jan Podivínský, Konsulli i Nderit i Republikës së Çekisë në Cyrih, z. Ferdinand B. Bardoly-Küzmös, si dhe presidentja e Czech Klub Zürich, znj. Alena Pajasová.
Duke përshkruar pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje, Vigan Berisha është shprehur:
“Sonte me ftesë të Sh.T. z. Tomáš Jan Podivínský, Ambasador i Republikës së Çekisë në Zvicër, z.Ferdinand B. Bardoly-Küzmös, Konsull Nderi i Republikës së Çekisë në Cyrih, si dhe znj. Alena Pajasová, Presidente e Czech Klub Zürich, morëm pjesë, në koncertin e organizuar në Cyrih me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Çekisë. Programi muzikor u interpretua nga këngëtarja çeke Šárka Dumisincová dhe u pasua nga një pritje, duke ofruar mundësi për takime dhe bashkëbisedime me përfaqësues të komunitetit Çek dhe ata diplomatik e konsullor.”
Koncerti dhe pritja që pasoi shërbyen si një mundësi për shkëmbimin e mendimeve dhe për zhvillimin e kontakteve ndërmjet përfaqësuesve diplomatikë, konsullorë dhe anëtarëve të komunitetit çek në Zvicër. Pjesëmarrja e përfaqësuesit të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Cyrih në këtë aktivitet shënon një tjetër rast të takimeve ndërmjet përfaqësuesve diplomatikë në Zvicër, në kuadër të aktiviteteve që shoqërojnë festat kombëtare dhe jetën kulturore të komuniteteve të ndryshme, transmeton helveticALforum.ch.









