POSTIMET E FUNDIT

Me përkushtim ndaj gjuhës shqipe, LAPSH “Naim Frashëri” Cyrih mbyll një vit të suksesshëm shkollor

ME MBLEDHJEN PËRFUNDIMTARE LAPSH «NAIM FRASHËRI» CYRIH PËRMBYLL ME SUKSES VITIN SHKOLLOR 2025/2026

Në Glattbrugg më 29 qershor siç mëson helveticALForum.ch u mbajt mbledhja përfundimtare e kolektivit të LAPSH “Naim Frashëri” Cyrih, me të cilën u bë bilanci i punës së realizuar gjatë vitit shkollor 2025/2026 dhe u finalizua përgatitja për ceremoninë solemne të ndarjes së diplomave për nxënësit. Mbledhjen e hapi kryetari LAPSH-së Cyrih z. Naser Ulaj, i cili përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe shprehu falënderimin e tij për angazhimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e mësimdhënësve në misionin e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në mërgatë. Ai vlerësoi punën e bërë gjatë gjithë vitit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet mësimdhënësve, prindërve për arritjen e rezultateve të suksesshme. Në vijim të mbledhjes u shqyrtuan pikat e rendit të ditës. Në kuadër të raportimit për përmbylljen e procesit mësimor dhe vlerësimit të nxënësve.

Të gjithë mësimdhënësit konfirmuan se kanë përfunduar me kohë procesin e vlerësimit dhe dhënien e notave për të gjithë nxënësit. Njëkohësisht, u theksua se janë realizuar me sukses të gjitha detyrat dhe angazhimet e planifikuara për këtë vit shkollor, duke e përmbyllur atë me rezultate të kënaqshme.

Vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit të ceremonisë së ndarjes së diplomave, e cila do të zhvillohet të shtunën me 4 Korrik, në ora 14:00 në lokalet e RINORA 4. Gjatë diskutimeve u hartua në detaje plani organizativ, u përcaktua rrjedha e programit, me synimin që ceremonia të zhvillohet në mënyrë dinjitoze dhe të mbetet një kujtim i veçantë për nxënësit dhe familjet e tyre. Me këtë mbledhje u përmbyll me sukses viti shkollor 2025/2026, duke dëshmuar edhe një herë se përkushtimi i mësimdhënësve, mbështetja e prindërve dhe angazhimi i nxënësve janë themeli i suksesit të LAPSH “Naim Frashëri” Cyrih dhe i misionit të saj në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në mërgatë, transmeton LAPSH / Cyrih, përcjell helveticALForum.ch.

Fotografia Lulzim Hasi

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB