Tribunë me rastin e Mevludit: “Nga Suneti ritual te Suneti qytetërues – reflektim kritik mbi modelin profetik të muslimanëve sot”
Në kuadër të muajit të bekuar Rebiul-Evvel dhe me rastin e përkujtimit të lindjes së të Dërguarit të Allahut, Muhamedit ﷺ, Kryesia e Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë organizoi një tribunë të veçantë me temën:
“Nga Suneti ritual te Suneti qytetërues – reflektim kritik mbi modelin profetik të muslimanëve sot.”
Në emër të Kryesisë së Qendrës, të pranishmit i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje imami i Qendrës, Fehim ef. Abazi.
Në fjalën e tij hyrëse, imami Fehim ef. Abazi potencoi, përmes disa shembujve konkretë, se si duhet ta respektojmë, ta duam dhe ta ndjekim të Dërguarin e Allahut ﷺ. Ai theksoi se dashuria ndaj Pejgamberit ﷺ nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë apo në ndjenja, por duhet të dëshmohet përmes sjelljes, moralit dhe veprave tona, duke e marrë shembullin e tij si udhërrëfyes në jetën e përditshme.

Kjo mbrëmje ishte një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi jetën, shembullin dhe mësimet e të Dërguarit të Allahut ﷺ, duke e parë Sunetin jo vetëm si një përmbledhje të praktikave dhe ritualeve fetare, por edhe si një model të gjallë të jetës, moralit, përgjegjësisë, dijes, punës dhe ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë.
Kishim nderin dhe kënaqësinë që ligjërues i kësaj tribune të ishte hoxha i nderuar Mr. Hafiz Ensar ef. Sinani, imam në Xhaminë e Gjelbër në Seevetal, Hamburg, i cili, me një ligjërim të argumentuar, të pasur me shembuj dhe mësime nga jeta e Pejgamberit ﷺ, solli një perspektivë të veçantë mbi mënyrën se si muslimani i sotëm mund ta kuptojë dhe ta mishërojë modelin profetik në jetën e përditshme.
Ligjërata u përqendrua veçanërisht në nevojën që Suneti të mos mbetet vetëm në dimensionin ritual, por të shndërrohet në një Sunet qytetërues – në moral, sjellje, përgjegjësi, dije, përkushtim, punë, drejtësi, solidaritet dhe kontribut pozitiv në shoqëri.
Me një qasje kritike dhe reflektuese, ligjëruesi shtroi pyetjen se çfarë do të thotë realisht të ndjekësh modelin e Muhamedit ﷺ në kohën tonë. Si mund ta dëshmojmë dashurinë për Pejgamberin ﷺ jo vetëm me fjalë, por edhe me veprat tona? Si mund ta bëjmë Sunetin pjesë të karakterit tonë dhe të jetës sonë familjare, shoqërore e profesionale?
Mesazhi i mbrëmjes ishte i qartë: ndjekja e Pejgamberit ﷺ nuk kufizohet vetëm në atë që bëjmë në xhami, por shfaqet në mënyrën se si sillemi me njerëzit, si punojmë, si i trajtojmë familjet tona, si respektojmë dijen, si kontribuojmë në shoqëri dhe si e bartim me dinjitet amanetin e besimit.

Në këtë mbrëmje na nderuan me praninë e tyre edhe shumë personalitete dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar mysliman nga Zvicra.
Ndër të pranishmit ishin Hoxhë Mr. Riad ef. Aliu, imam në Xhaminë “Dituria” në Gjenevë, së bashku me kryetarin dhe anëtarët e Kryesisë së kësaj xhamie.
Gjithashtu, me praninë e tij na nderoi Mr. Beser ef. Emini nga Langenthal, si dhe Hoxhë Mevludin ef. Zimberi, imam i Qendrës Islame Shqiptare në Renens, së bashku me kryetarin dhe anëtarët e Kryesisë së xhamisë.
Me praninë e tij na nderoi edhe Imam Hafiz Amar ef. Murati, i cili shërben si imam i përkohshëm në Xhaminë e Moudonit.
Një falënderim i veçantë shkon për z. Abdurrahman Elezi, anëtar i Kryesisë së Xhamisë së Gjelbër në Hamburg, i cili shoqëroi ligjëruesin tonë dhe ishte pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë.
Me praninë e tyre na nderuan gjithashtu Haxhi Nuriman Musliu, kryetar i xhamisë në Oensingen, si dhe Prof. Dr. Gëzim Dushi, mjek dhe personalitet i mirënjohur i komunitetit tonë në Lozanë dhe në kantonin Vaud.
Prania e këtyre personaliteteve, imamëve, drejtuesve të xhamive dhe përfaqësuesve të komunitetit tonë i dha kësaj mbrëmjeje një dimension të veçantë vëllazëror dhe komunitar, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit, unitetit dhe komunikimit ndërmjet institucioneve tona fetare e kulturore.
Në fund të tribunës, të pranishmit patën mundësinë të vazhdonin bashkëbisedimin në një atmosferë vëllazërore, ku nga ana e Qendrës u shtrua edhe një darkë për të gjithë pjesëmarrësit.
Kryesia e Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e saj të sinqertë për të gjithë të ftuarit, imamët, kryetarët dhe kryesitë e xhamive, personalitetet e komunitetit, si dhe për të gjithë vëllezërit dhe motrat që morën pjesë dhe e begatuan këtë mbrëmje me praninë e tyre.
Një falënderim i veçantë i takon ligjëruesit tonë, hoxhës së nderuar Mr. Hafiz Ensar ef. Sinanit, për ligjëratën e tij të pasur, të argumentuar dhe frymëzuese, si dhe për mesazhet e rëndësishme që përcolli.
Urojmë që këto tubime të jenë gjithmonë mundësi për dije, reflektim, bashkim dhe forcim të lidhjeve tona vëllazërore, dhe që dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ të mos mbetet vetëm një ndjenjë e shprehur me fjalë, por të shndërrohet në moral, karakter, përgjegjësi dhe vepra të mira.
Sepse ta duash dhe ta ndjekësh Muhamedin ﷺ do të thotë ta bësh modelin e tij të dukshëm në jetën tonë: në sjelljen tonë, në familjet tona, në punën tonë, në marrëdhëniet tona me të tjerët dhe në kontributin që japim për shoqërinë.
Allahu e shpërbleftë çdo pjesëmarrës dhe çdo kontribues të kësaj mbrëmjeje!
Allahu na mundësoftë ta njohim, ta duam dhe ta ndjekim sa më denjësisht shembullin e të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ.
اللهم صل وسلم وبارك على سيدنا محمد ﷺ
Me respekt të veçantë dhe mirënjohje,
Imami Fehim ef. Abazi










