Gornja Radgona, 24 gusht 2026 – Nga 22 deri më 26 gusht, në Gornja Radgona të Sllovenisë po mbahet edicioni i 64-të i Panairit Ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Ushqimit AGRA, një prej ngjarjeve më të rëndësishme rajonale për sektorin e bujqësisë, industrisë ushqimore dhe agrobiznesit. Në mesin e ekspozuesve ndërkombëtarë këtë vit është edhe kompania nga Republika e Kosovës, “Green Life Kosova”, e cila po prezanton produktet e saj dhe potencialin e sektorit agro-ushqimor kosovar para vizitorëve dhe partnerëve të shumtë nga tregjet evropiane. Pjesëmarrja në këtë panair përbën një mundësi të rëndësishme për kompanitë kosovare që të promovojnë produktet e tyre, të krijojnë kontakte të reja biznesore dhe të identifikojnë mundësi për zgjerimin e eksporteve në tregjet ndërkombëtare. Gjatë vizitës në panair, ambasadori i Republikës së Kosovës, Valdet Sadiku, vizitoi stendën e kompanisë “Green Life Kosova”, ku u njoh nga afër me produktet, aktivitetin dhe prezantimin e kompanisë në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. Në kuadër të vizitës, ambasadori Sadiku zhvilloi takim edhe me Bajram Fushën, drejtor i Odës Sllovene të Biznesit në Kosovë, me të cilin diskutoi për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe promovimit të bizneseve kosovare në tregjet evropiane.

Pjesëmarrja e kompanive nga Kosova në panaire ndërkombëtare si AGRA vlerësohet si një hap i rëndësishëm për forcimin e imazhit të produkteve “Made in Kosova”, rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve vendorë dhe krijimin e partneriteteve të reja me kompani nga rajoni dhe Evropa. Panairi AGRA mbetet një platformë e rëndësishme për prezantimin e risive në bujqësi dhe industrinë ushqimore, si dhe për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet kompanive, institucioneve dhe profesionistëve të sektorit, njofton Ambasada e Kosovës në Slloveni, transmeton helveticALforum.ch.
Përgaditi D.H










