BallinaFoto LajmMë 24 gusht 1913 u botua numri i parë i gazetës “Përlindja...

Më 24 gusht 1913 u botua numri i parë i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”

-

Gazeta “Përlindja e Shqipëniës” vlerësohet për rolin e saj të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit të ri shqiptar.

Ajo ishte gazeta e parë zyrtare e shtetit të pavarur shqiptar dhe organ i Qeverisë së Vlorës, të drejtuar nga Ismail Qemali.

Gazeta trajtoi çështje me rëndësi të veçantë, jo vetëm për konsolidimin e shtetit shqiptar, por edhe për afirmimin e identitetit kombëtar. Një ndër temat qendrore të saj ishte domosdoshmëria e bashkimit të trojeve shqiptare dhe e përfshirjes së tyre në kuadër të një shteti të vetëm kombëtar.

Kryeredaktor i parë i “Përlindjes së Shqipëniës” ishte Dhimitër Berati, gazetar, politikan dhe një nga nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në veprimtarinë e gazetës kontribuoi edhe Mihal Grameno, një nga figurat e shquara të publicistikës shqiptare.

“Përlindja e Shqipëniës” botohej dy herë në javë, në Vlorë, dhe në faqet e saj u botuan jo vetëm shkrime politike, shoqërore e kulturore, por edhe akte e ligje të Qeverisë së Vlorës. Përmes kryeartikujve dhe shkrimeve të saj, gazeta mbrojti interesat kombëtare dhe të drejtat e shqiptarëve, duke pasqyruar edhe ngjarjet dramatike që po përjetonin trojet shqiptare të mbetura jashtë kufijve të shtetit të pavarur.

Gazeta vijoi botimin deri më 28 mars 1914, duke lënë pas 56 numra dhe një dëshmi të çmuar të periudhës së parë të shtetit shqiptar. Ajo konsiderohet edhe pararendëse e “Fletores Zyrtare”.

“Përlindja e Shqipëniës” mbetet një nga dëshmitë më të rëndësishme të publicistikës shqiptare në vitet e para të Pavarësisë dhe të përpjekjeve për ndërtimin e shtetit shqiptar./GD

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Liga e Kampionëve 2026/27 – Të enjten hidhet shorti i fazës...

0
Sezoni i ri i Champions League po hyn në fazën vendimtare, me shortin e fazës së ligës që do të hidhet më 27 gusht...