BallinaAtdheuKurti: Buxheti i vitit 2027 do të përfshijë mbështetjen financiare për ish-krerët...

Kurti: Buxheti i vitit 2027 do të përfshijë mbështetjen financiare për ish-krerët e UÇK-së

-

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar në Kuvend se buxheti për vitin 2027 do të përfshijë mjete financiare për mbështetjen e katër ish-krerëve të UÇK-së në procesin gjyqësor në Hagë. Ndërkohë, Qeveria ka themeluar një grup punues për hartimin e strategjisë shtetërore për fazën e apelit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria do të ndajë mjete financiare për mbështetjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në kuadër të buxhetit të shtetit për vitin 2027. Deklarata u bë gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, në përgjigje të pyetjeve të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, e cila kërkoi sqarime për masat konkrete që po ndërmerr Qeveria për hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me procesin e apelit në Hagë. Kurti bëri të ditur se ekzekutivi ka themeluar grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë, duke theksuar se dokumenti synon të përfshijë institucionet kryesore të vendit dhe përfaqësues të partive politike.

“Ne kemi afatin deri më 31 tetor që ta votojmë në mbledhje të Qeverisë buxhetin për vitin 2027. Dhe këtë do ta bëjmë, dhe natyrisht që aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, por edhe për çështjen e mbështetjes financiare për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Kurti.

Strategjia para përcaktimit të kostove financiare

Kreu i Qeverisë theksoi se përcaktimi i shpenzimeve duhet të bëhet pasi të hartohen masat konkrete dhe të identifikohen mekanizmat për zbatimin e strategjisë.

“Njëherë vjen ideja, vizioni, mekanizmat dhe masat, e më pastaj edhe kostoja e tyre, jo kostoja para mekanizmave e vizionit”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, grupi punues duhet ta përfundojë punën dhe t’i paraqesë rezultatet, mbi bazën e të cilave do të përcaktohen veprimet dhe nevojat financiare të institucioneve.

Në përbërjen e grupit pritet të përfshihen përfaqësues nga ministritë përkatëse, Zyra e Presidentes, Zyra e Kryeministrit, Kryesia e Kuvendit dhe grupet parlamentare të PDK-së, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës, si dhe grupi multietnik.

Kurti tha se synimi është që strategjia të ketë karakter shtetëror dhe të mbështetet nga partitë politike përtej dallimeve të tyre.

PDK kërkon hapa konkretë për fazën e apelit

Gjatë seancës, deputetja Ariana Musliu-Shoshi kërkoi nga kryeministri informacione më të hollësishme për buxhetin e posaçëm që do të nevojitet për zbatimin e strategjisë, angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë të së drejtës penale ndërkombëtare dhe mbështetjen e ekipeve mbrojtëse.

Ajo ngriti gjithashtu çështjen e afateve të procesit të apelit, duke kërkuar të dijë se cilat masa janë ndërmarrë deri më tani, pa pritur përfundimin e punës së grupit.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetja lidhej me përgjegjësinë institucionale pas përfundimit të mandatit gjashtëmujor të grupit punues. Ajo kërkoi sqarime se cili institucion do të jetë përgjegjës për zbatimin e rekomandimeve që do të dalin nga strategjia.

Megjithatë, në përgjigjen e tij, Kurti vuri theksin te përfundimi i strategjisë dhe përcaktimi i masave konkrete, duke bërë të ditur se kostot përkatëse do të mbulohen nga buxheti i Kosovës.

Kurti: Mbrojtja e së vërtetës historike është përgjegjësi e përbashkët

Kryeministri deklaroi se Qeveria do t’i angazhojë kapacitetet e saj për të mbështetur përpjekjet e ekipeve mbrojtëse në fazën e apelit dhe për të mbrojtur atë që ai e cilësoi si të vërtetën historike të luftës çlirimtare.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare e popullit janë trashëgimi e përbashkët dhe përgjegjësia për mbrojtjen e të vërtetës së saj shkon përtej mandateve të Qeverisë dhe dallimeve partiake”, tha Kurti.

Ai shtoi se masat që do të përcaktohen në strategji do të shoqërohen me kostot e tyre financiare dhe se Qeveria do të ofrojë mbështetjen e nevojshme për zbatimin e tyre.

Me këtë zotim, ekzekutivi sinjalizon se mbështetja financiare për katër ish-krerët e UÇK-së do të përfshihet në planifikimin buxhetor për vitin e ardhshëm. Megjithatë, shuma konkrete dhe mënyra e shpërndarjes së mjeteve pritet të përcaktohen pas hartimit të strategjisë dhe identifikimit të masave përkatëse, transmeton rtk, përcjell helveticALforum.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Zanat apo universitet në Zvicër? Kush fiton më shumë para gjatë...

0
Në Zvicër, diploma universitare shpesh lidhet me paga më të larta, por kjo nuk do të thotë se personat që përfundojnë një zanat mbeten...