ZVICËR – Temperaturat mbi 30 gradë Celsius nuk ndikojnë vetëm te njerëzit, por edhe te automjetet. Ekspertët paralajmërojnë se gjatë ditëve me vapë ekstreme drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar, si për gjendjen e tyre fizike, ashtu edhe për mirëmbajtjen e automjetit, transmeton 20min.ch.
1. Planifikoni udhëtimin dhe bëni pushime të rregullta
Vapa ul përqendrimin dhe ngadalëson reagimin e drejtuesit. Gjatë udhëtimeve të gjata rekomandohet të keni gjithmonë ujë të freskët me vete dhe të ndaloni të paktën çdo dy orë për të pushuar, për të ecur pak dhe për t’u hidratuar.
2. Parkoni makinën në hije
Një automjet i lënë në diell mund të nxehet brenda pak minutash në temperatura shumë të larta. Sipërfaqe si timoni, rripat e sigurimit dhe sediljet e fëmijëve mund të arrijnë deri në 80 gradë Celsius, duke shkaktuar djegie. Për këtë arsye, makina duhet të parkohet sa më shumë në hije dhe para nisjes të ajroset mirë. Fëmijët dhe kafshët nuk duhet të lihen asnjëherë brenda një makine të parkuar.
3. Kontrolloni presionin e gomave
Para çdo udhëtimi të gjatë, kontrolloni presionin e gomave kur ato janë ende të ftohta. Presioni i ulët rrit temperaturën e gomës, përshpejton konsumimin dhe në raste ekstreme mund të shkaktojë plasjen e saj.
4. Mos e mbingarkoni automjetin
Bagazhet, kutitë mbi çati, mbajtëset e biçikletave apo rimorkiot shtojnë peshën mbi automjet dhe ndikojnë drejtpërdrejt te gomat. Prandaj duhet të respektohen rekomandimet e prodhuesit për presionin e gomave sipas ngarkesës.
5. Përshtatni shpejtësinë me kushtet e rrugës
Asfalti i nxehtë dhe temperaturat ekstreme mund të dëmtojnë sipërfaqen e rrugës. Drejtimi me shpejtësi të moderuar rrit sigurinë dhe lejon reagim më të shpejtë në rast deformimesh të papritura të asfaltit ose incidenteve të tjera.
6. Kujdesuni për baterinë e automjetit
Temperaturat e larta përshpejtojnë konsumimin e baterive të automjeteve me motor klasik. Parkimi në hije ndihmon në mbrojtjen e tyre. Ndërsa për automjetet elektrike, nxehtësia nuk paraqet rrezik të madh për baterinë, megjithëse përdorimi i vazhdueshëm i kondicionerit ul ndjeshëm autonominë e udhëtimit.
7. Bëhuni gati për stuhi dhe reshje të rrëmbyeshme
Pas periudhave të nxehta, shpesh pasojnë stuhi, shi i dendur dhe breshër. Rrugët mund të bëhen rrëshqitëse brenda pak minutash, ndërsa rreziku i aquaplaning-ut rritet ndjeshëm. Në këto kushte rekomandohet ulja e shpejtësisë, shtimi i distancës së sigurisë dhe përqendrim maksimal gjatë drejtimit.
Autoritetet këshillojnë të gjithë drejtuesit e automjeteve të shmangin udhëtimet gjatë orëve të pikut të vapës, të konsumojnë mjaftueshëm lëngje dhe të kontrollojnë gjendjen teknike të automjetit përpara çdo udhëtimi të gjatë, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.




