BallinaDiasporaRama feston mbylljen e Kapitullit 20 nga Luksemburgu: Shqipëria do të vendosë...

Rama feston mbylljen e Kapitullit 20 nga Luksemburgu: Shqipëria do të vendosë flamurin në familjen europiane

-

LUKSEMBURG – Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur mbylljen e ndërmjetme të Kapitullit 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nga Luksemburgu, ku u zhvillua Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, kreu i qeverisë publikoi një video-mesazh në rrjetet sociale, duke festuar këtë arritje së bashku me ekipin negociator shqiptar.

Në videon e publikuar, Rama shfaqet krah përfaqësuesve të ekipit negociator, ndërsa përcjell një mesazh optimist për ecurinë e procesit të integrimit europian. Ai theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar negociatat deri në përmbushjen e objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Rama: Një tjetër kapitull u mbyll

Kryeministri e cilësoi përparimin e arritur si një tjetër hap drejt integrimit europian, duke vënë në qendër simbolikën e flamurit shqiptar dhe këmbënguljen e vendit për të vijuar këtë rrugëtim.

“Ja ku jemi prapë. Po, ne jemi. Po këtu jemi. Prapë një kapitull u mbyll. Se pa e sjellë flamurin e Shqipërisë këtu dhe pa e vënë në krye, sepse është Albania me A dhe është më i bukuri flamur i Europës, ne nuk i ndahemi kësaj pune”, u shpreh Rama në videon e publikuar nga Luksemburgu.

Më tej, kreu i qeverisë nënvizoi se mbështetja e të gjithë atyre që kontribuojnë në proces e ndihmon Shqipërinë të ecë më shpejt drejt objektivit të saj, ndërsa shprehu bindjen se vendi do ta arrijë synimin për t’u bërë pjesë e familjes europiane.

“Kurse ata që nuk duan, duan apo s’duan, prapë do të gëzohen kur ne do të vendosim flamurin e Shqipërisë”, deklaroi kryeministri.

Katër kapituj të mbyllur në negociatat me BE-në

Me mbylljen e ndërmjetme të Kapitullit 20, që përfshin ndërmarrjet dhe politikat industriale, Shqipëria e çon në katër numrin e kapitujve të mbyllur në kuadër të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ky kapitull lidhet me përafrimin e politikave industriale të vendit me ato të BE-së, mbështetjen për sipërmarrjen dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e bizneseve shqiptare, veçanërisht të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Përparimi në këtë fushë konsiderohet një hap me rëndësi për forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe përgatitjen e saj për tregun e përbashkët europian.

Qeveria shqiptare ka shpallur si objektiv mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit 2027. Arritja e këtij synimi do të kërkojë vijimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian.

Nga Luksemburgu, mesazhi i Ramës ishte i qartë: Shqipëria synon të vijojë me vendosmëri procesin e integrimit, me bindjen se anëtarësimi në BE është objektivi i saj strategjik, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Presidentja Justina Shiroka Pula viziton familjet e ish-krerëve të UÇK-së: Kosova...

0
PRISHTINË – Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vizituar sot familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit,...

NJË BOTIM I RI POETIK