
Nga Dashnim HEBIBI
Sot, gjatë një bashkëbisedimi telefonik rreth 40-minutësh me mikun tim, Esat Husaj, editor i TV Diaspora, biseduam për zhvillimet aktuale në atdhe, sfidat me të cilat po përballemi si shoqëri dhe, natyrisht, për gjendjen e medias shqiptare. Esati është ndër ata njerëz që, për vite me radhë, përmes TV Diaspora, ka kontribuar në dokumentimin dhe pasqyrimin e aktiviteteve të mërgatës shqiptare në periudha të ndryshme. Për shumë veprimtarë, organizatorë, artistë, intelektualë dhe njerëz të përkushtuar ndaj çështjeve kombëtare, ky televizion mbetet pjesë e kujtesës së veprimtarisë shqiptare në mërgim. Me Esatin flasim shpesh, ndaj arsyeja e këtij shkrimi nuk është thjesht një bisedë mes dy miqsh.

Ajo që më shtyu t’i ndaj këto mendime me ju ishte një temë që prek ndërgjegjen tonë njerëzore:
Pse presim që njerëzit të mos jenë më në mesin tonë për t’ua njohur vlerat, për t’i nderuar dhe për t’u thënë fjalët e mira që i meritojnë?
Pse nuk i vlerësojmë sa janë gjallë, por presim ditën kur ata të largohen nga kjo botë, që pastaj të shkruajmë fjalë prekëse, të derdhim lot, të dërgojmë kurora me lule dhe të vendosim fotografitë e tyre në ballë të kujtimeve tona?
Pse mirënjohja jonë shpesh zgjohet vetëm atëherë kur nuk mund të dëgjohet më nga ai që e meritonte?
Nderimi pas vdekjes është kujtim, por nderimi gjatë jetës është njerëzi!
Nuk duhet të presim ceremonitë mortore për të kuptuar se dikush ka qenë i rëndësishëm. Nuk duhet të presim që një mik të mbyllë sytë përgjithmonë për t’i thënë se e çmojmë. Nuk duhet të presim heshtjen e tij për ta kuptuar peshën e fjalës së tij, as largimin e tij për ta kuptuar se sa shumë ka dhënë për të tjerët. Duhet të mësojmë ta vlerësojmë njëri-tjetrin në kohë, me sinqeritet dhe pa interesa të fshehta. Bota ka parë mbretër, kryetarë shtetesh, ministra, njerëz të pasur e të varfër, të fuqishëm e të zakonshëm, të cilët një ditë janë larguar nga kjo jetë. Askush nuk ka mundur ta marrë me vete pasurinë, pushtetin, titujt apo privilegjet. Pas secilit kanë mbetur kujtimet, veprat, fjalët, gjurmët e mira dhe, fatkeqësisht, edhe ato të këqija.

Në fund, nuk është vetëm ajo që kemi pasur që na përcakton, por ajo që kemi dhënë. Nuk është vetëm pozita që kemi mbajtur, por mënyra se si i kemi trajtuar njerëzit. Nuk është numri i njerëzve që na duartrokasin, por numri i zemrave që kemi prekur me mirësi, drejtësi dhe respekt. Prandaj, të mos mashtrohemi tepër nga kjo botë, nga gara për pasuri, nga etja për pushtet, nga titujt dhe nga dëshira për t’u dukur më të rëndësishëm se të tjerët. Të mësojmë të kënaqemi me atë që kemi, të punojmë me dinjitet, të jetojmë me ndërgjegje të pastër dhe të mos harrojmë se jeta është e përkohshme.

Shpesh më kujtohen fjalët e nënës sime të ndjerë, Xhevahire Hebibi, e cila thoshte:
“Syri është si deti, nuk ngopet. Ngopjen ia mbush vetëm dheu.”
Sa domethënëse janë këto fjalë të një nëne që tashmë nuk është më në mesin tonë, por që na ka lënë pas urtësi që vlejnë për gjithë jetën! Njeriu dëshiron gjithnjë më shumë. Më shumë pasuri, më shumë pushtet, më shumë famë, më shumë duartrokitje. Shpesh, në këtë garë të pafundme, harron të jetojë, harron të falënderojë, harron të përqafojë një mik, harron t’i thotë një njeriu të mirë: “Faleminderit që je, faleminderit për atë që ke bërë!”

Dhe, kur vjen fundi, gjithçka që kemi grumbulluar mbetet pas. Ne largohemi nga kjo botë, ndërsa koha dhe kujtesa njerëzore dëshmojnë se çfarë gjurmësh kemi lënë pas vetes. Nuk po them se nuk duhet t’i kujtojmë të vdekurit. Përkundrazi, ata meritojnë kujtimin, respektin dhe nderimin tonë. Por pikërisht sepse i duam dhe i respektojmë njerëzit, duhet t’ua shprehim këtë sa janë pranë nesh, kur mund të na dëgjojnë, të buzëqeshin dhe ta ndiejnë se puna, sakrifica dhe përkushtimi i tyre nuk kanë kaluar pa u vënë re. Të nderojmë gazetarët që kanë dokumentuar historinë tonë, veprimtarët që kanë punuar pa u lodhur, mësuesit që kanë edukuar breza, artistët që kanë ruajtur kulturën, humanistët që kanë ndihmuar njerëzit në nevojë dhe të gjithë ata që kanë dhënë diçka të vlefshme për shoqërinë. Të mos i lëmë vetëm në betejat e tyre. Të mos i harrojmë kur kanë nevojë për një fjalë të mirë. Të mos i vlerësojmë vetëm kur na duhen, por t’i respektojmë për atë që janë dhe për atë që kanë bërë. Sepse respekti nuk duhet të jetë interes. Mirënjohja nuk duhet të jetë formalitet. Miqësia nuk duhet të jetë vetëm fjalë, ndërsa nderimi nuk duhet të jetë një ceremoni që organizohet pasi njeriu nuk është më.

Le të mësojmë ta nderojmë njëri-tjetrin sa jemi gjallë!
T’i japim dorën njëri-tjetrit pa pritur që ajo të mbetet e palëvizshme. T’i themi fjalët e mira pa pritur që ato të shndërrohen në epitafe. T’i dhurojmë lulet sa njerëzit mund ta ndiejnë aromën e tyre, jo vetëm kur ato vendosen mbi varre. Në fund, të gjithë do të bëhemi pjesë e dheut. Por deri atëherë kemi mundësinë të bëhemi pjesë e zemrave të njëri-tjetrit.
Respekti dhe nderimi duhet të jenë të ndërsjellë, të sinqertë dhe në kohën e duhur.
Sepse jeta është e shkurtër, koha nuk kthehet dhe disa fjalë, nëse nuk thuhen sot, nesër mund të jenë vetëm pendim. Në përfundim të bisedës së sotme, mikut tim Esat Husaj i thashë me përzemërsi:
“Të përqafoj, miku im, dhe mirupafshim!”
Një përshëndetje e thjeshtë, por që mbart ngrohtësinë e miqësisë, respektin dhe vlerësimin për një njeri me të cilin ndajmë mendime, kujtime dhe shqetësime për atdheun e për median shqiptare. Sepse miqësia e vërtetë nuk matet vetëm me sa shpesh takohemi, por edhe me respektin që ruajmë për njëri-tjetrin, me fjalët që ndajmë dhe me vlerat që na bashkojnë. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i këtij opinioni: të mos presim ndarjen për ta shprehur dashurinë, të mos presim vdekjen për ta njohur vlerën e dikujt dhe të mos presim varrin për të thënë fjalët që një zemër e meriton t’i dëgjojë sa është gjallë.

Ta duam njëri-tjetrin sot. Ta vlerësojmë njëri-tjetrin sot. Ta nderojmë njëri-tjetrin sot.
Nesër mund të jetë vonë!
Respekt e nderime reciproke, sa jemi gjallë!
Për TV Diaspora duhet shkruar shumë, sepse e meriton një monografi të veçantë, të cilën e meriton edhe historia e saj. TV Diaspora kërkohet nga mërgata shqiptare edhe sot, për të mbushur boshllëkun medial që vazhdon të ndihet. Një herë tjetër do të ndalem më gjerësisht, me një shkrim të përmbledhur në disa pika për rëndësinë dhe kontributin e TV Diasporës. Një gjë është e sigurt: TV Diaspora ka mbetur pjesë e historisë së mërgatës shqiptare, sepse ishte dhe mbetet një arkiv i madh i kujtesës sonë kombëtare. Nderime, miku im Esat! Me respekt e mirënjohje, sepse edhe unë pata fatin të isha pjesë e rrugëtimit tënd dhe e kësaj historie të çmuar mediale. E presim një ditë që ta rikthehet TV DIASPORA !










