POSTIMET E FUNDIT

Komisioni i Venecias jep opinion për ligjin e financimit të partive në Shqipëri

Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin e tij mbi projektligjin “Për financimin e partive politike” në Shqipëri, duke e vlerësuar reformën si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të financimit politik, por duke theksuar njëkohësisht se drafti kërkon përmirësime të shumta për të garantuar qartësi ligjore, proporcionalitet dhe zbatim efektiv.

Në fillim të opinionit, Komisioni thekson se draftligji është pjesë e një reforme më të gjerë në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe përmbushjes së rekomandimeve ndërkombëtare. Sipas dokumentit, “draftligji synon të krijojë një kuadër të ri dhe gjithëpërfshirës ligjor për financimin, administrimin, kontrollin dhe transparencën e të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike” .

Një nga elementët kryesorë të vlerësuar pozitivisht është krijimi i platformës elektronike për raportimin financiar të partive në kohë reale. Komisioni i Venecias e cilëson këtë si një zhvillim të rëndësishëm, duke theksuar se, “nëse dizajnohet siç duhet, ajo mund të zvogëlojë vonesat, të përmirësojë standardizimin dhe të mundësojë mbikëqyrje publike më efektive”.

Megjithatë, ekspertët e Këshillit të Europës paralajmërojnë se garancitë kryesore për mbrojtjen e të dhënave dhe funksionimin e sistemit duhet të përfshihen në vetë ligjin dhe jo të lihen vetëm në akte nënligjore. Në opinion theksohet se “elementët thelbësorë dhe garancitë për mbrojtjen e të dhënave duhet të përcaktohen në ligj, jo vetëm në vendime administrative”.

Një tjetër çështje e ngritur lidhet me detyrimin e raportimit të partive politike. Drafti parashikon që pas raportimit në kohë reale përmes platformës, partitë të mos kenë më detyrimin të raportojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo të publikojnë të dhëna në faqet e tyre zyrtare. Për këtë, Venecia rekomandon rishikim, duke theksuar se “detyrimet e raportimit dhe publikimit nuk duhet të ndërpriten automatikisht”.

Komisioni nënvizon gjithashtu nevojën për harmonizimin e ligjit të ri me Kodin Zgjedhor, duke paralajmëruar se ndarja aktuale mes financimit të zakonshëm të partive dhe financimit të fushatave zgjedhore mund të krijojë boshllëqe ligjore. Sipas opinionit, “kuadri ligjor për financimin politik duhet të jetë plotësisht koherent dhe të mos krijojë hapësira për shmangie të rregullave”.

Burimet e financimit dhe kufizimet

Në pjesën që trajton burimet e financimit, Venecia vlerëson zgjerimin e listës së burimeve të lejuara dhe të ndaluara, por kërkon sqarime më të qarta për disa kategori, përfshirë fondet publike, huatë dhe sponsorizimet.

Komisioni thekson se, “broad prohibitions must be accompanied by clear definitions and workable verification mechanisms”, duke nënvizuar se ndalimet e gjera pa përkufizime të sakta rrezikojnë zbatim të pabarabartë të ligjit.

Në lidhje me financimin nga jashtë, Komisioni pranon se shtetet kanë të drejtë të kufizojnë donacionet e huaja, por thekson se masa të tilla duhet të jenë proporcionale. Në opinion thuhet se Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka pranuar se “shtetet mbeten të lira të përcaktojnë se cilat burime të financimit të huaj mund të pranohen nga partitë politike” .

Megjithatë, Venecia paralajmëron se ndalimet e gjera ndaj organizatave joqeveritare, sindikatave dhe komuniteteve fetare kërkojnë analizë të kujdesshme të proporcionalitetit.

Financimi publik dhe rreziku i dominimit politik

Një pjesë e rëndësishme e opinionit i kushtohet edhe formulës së financimit publik të partive politike. Sipas draftit, 70% e fondit shpërndahet sipas mandateve parlamentare, 20% në mënyrë të barabartë, dhe 10% sipas përqindjes së votave.

Komisioni i Venecias vëren se, “the strong emphasis placed on parliamentary representation may merit further consideration in light of political pluralism”, duke paralajmëruar se sistemi aktual mund të favorizojë partitë e mëdha dhe të forcojë pozitat ekzistuese politike.

Në të njëjtën linjë, ekspertët rekomandojnë që të rishikohet mekanizmi i shpërndarjes për të lehtësuar aksesin e partive më të vogla në financimin publik dhe për të forcuar pluralizmin politik.

Kritika për disa dispozita të draftligjit

Venecia ngre gjithashtu shqetësime për disa ndalime të gjera në lidhje me burimet e financimit, përfshirë ndalimin e donacioneve nga organizata joqeveritare dhe sindikatat, duke theksuar se “blanket prohibitions affecting broad categories of civil society actors should be carefully assessed as to their necessity and proportionality”.

Po ashtu, kërkohet qartësim për mekanizmat e kontrollit dhe verifikimit të donacioneve, pasi sipas ekspertëve, deklaratat e donatorëve nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me mekanizma efektivë institucionalë.

Përfundim

Në përfundim, Komisioni i Venecias vlerëson se draftligji përbën një përmirësim të rëndësishëm në drejtim të transparencës dhe kontrollit të financimit të partive politike, por thekson se suksesi i tij do të varet nga përmirësimet ligjore dhe zbatimi praktik.

Sipas opinionit, reforma “pursues legitimate objectives linked to strengthening transparency, accountability and integrity in political financing”, por kërkon ende qartësim të shumë dispozitave për të shmangur paqartësi dhe boshllëqe ligjore. Institucioni i Këshillit të Europës i bën thirrje autoriteteve shqiptare të vijojnë konsultimet dhe të sigurojnë harmonizimin e plotë të kuadrit ligjor për financimin e partive dhe fushatave zgjedhore, në mënyrë që sistemi të jetë i qëndrueshëm, transparent dhe i zbatueshëm në praktikë, transmrton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB