POSTIMET E FUNDIT

Nordrhein-Westfalen konfirmon mbështetjen për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut

Përgatiti Dashnim Hebibi

Dyseldorf – Një zhvillim i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe landit gjerman Nordrhein-Westfalen është shënuar këtë javë me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët të Qëllimit për Bashkëpunim për periudhën 2026–2030. Në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë mori pjesë Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjermani, Prof. Dr. Ylber Sela, i cili e cilësoi marrëveshjen si një hap të madh drejt forcimit të lidhjeve ekonomike dhe evropiane.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Dr. Timço Mucunski e ka përshkruar takimin me këto fjalë:

“Sot në Dyseldorf u takova me Ministrin për Çështjet Federale, Evropiane, Ndërkombëtare dhe Median e North Rhine-Westphalia, Nathanael Liminsky, me të cilin nënshkruam një Deklaratë të Përbashkët të Qëllimit për Bashkëpunim për periudhën 2026–2030. Me këtë deklaratë, ne po forcojmë më tej partneritetin tonë me North Rhine-Westphalia, një nga shtetet më të rëndësishme ekonomike dhe industriale në Gjermani, dhe po hapim mundësi të reja për bashkëpunim dhe investime. Së bashku, ne konfirmuam angazhimin tonë për forcimin e lidhjeve ekonomike, lidhjen e komuniteteve të biznesit dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim. Ne e vlerësojmë veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme që North Rhine-Westphalia ofron në rrugën tonë evropiane.”

Ndërkohë, më 15 qershor 2026, Ministri për Çështjet Evropiane i Nordrhein-Westfalen, Nathanael Liminski, priti në Kancelarinë e Shtetit Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Dr. Timço Mucunski, ku u rinovua marrëveshja ekzistuese e bashkëpunimit ndërmjet dy palëve. Duke vlerësuar rëndësinë e partneritetit, ministri Liminski theksoi se zgjerimi i bashkëpunimit përbën një sinjal të qartë për një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar.

Sipas tij, stabiliteti dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor janë në interes të drejtpërdrejtë të Evropës, veçanërisht në një periudhë të sfidave gjeopolitike dhe ndikimeve në rritje nga aktorë të jashtëm. Marrëveshja e re e bashkëpunimit zgjat partneritetin për pesë vjet të tjera dhe u nënshkrua në praninë e Ambasadores së Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut, Petra Drexler, si dhe Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Gjermani, Prof. Dr. Ylber Sela. Dokumenti i ri parashikon zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të reja si policia, vetëqeverisja lokale, arsimi i lartë dhe shëndetësia, me synimin për të ndarë ekspertizën dhe për të mbështetur procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Partneriteti ndërmjet Nordrhein-Westfalen dhe Maqedonisë së Veriut, i nisur në vitin 2021, ka sjellë tashmë rezultate konkrete. Aktualisht po zhvillohet një program shkëmbimi mes zjarrfikësve të qytetit Oberhausen dhe komunës së Gostivarit, ndërsa universitete prestigjioze gjermane, përfshirë Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Këlnit, Institutin Wuppertal dhe Universitetin e Hapur të Hagenit, kanë vendosur bashkëpunim me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup në fushën e ekonomisë rrethore. 

Nënshkrimi i kësaj deklarate të re bashkëpunimi konfirmon rolin aktiv diplomatik të Ambasadorit Prof. Dr. Ylber Sela në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, duke krijuar mundësi të reja për investime, zhvillim ekonomik dhe afrimin e mëtejshëm të vendit me Bashkimin Evropian. Nënshkrimi i kësaj deklarate të re bashkëpunimi nuk përfaqëson vetëm një sukses diplomatik, por edhe një mesazh të qartë politik se Maqedonia e Veriut vazhdon të gëzojë mbështetje të fuqishme nga partnerë të rëndësishëm evropianë. Në një kohë kur procesi i integrimit evropian përballet me sfida dhe vonesa, thellimi i partneritetit me Nordrhein-Westfalenin – një nga rajonet më të fuqishme ekonomike dhe politike të Gjermanisë – dëshmon se perspektiva evropiane e vendit mbetet e gjallë dhe e mbështetur. Roli aktiv i Ambasadorit Prof. Dr. Ylber Sela në këtë proces konfirmon rëndësinë e diplomacisë në krijimin e aleancave strategjike që forcojnë pozitën ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe afrojnë më tej vendin me familjen evropiane.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB