BallinaDiasporaZÜRICHI VENDOS PAGË MINIMALE PREJ 23,90 FRANGASH NË ORË, ZBATIMI NIS MË...

ZÜRICHI VENDOS PAGË MINIMALE PREJ 23,90 FRANGASH NË ORË, ZBATIMI NIS MË 1 JANAR 2027

-

ZÜRICH – Punonjësit që punojnë në qytetin e Zürichut do të përfitojnë nga paga minimale prej 23,90 frangash bruto në orë, duke filluar nga 1 janari 2027. Qyteti i Zürichut njoftoi më 12 nëntor 2026 se rregullorja për pagën minimale do të hyjë në fuqi në këtë datë, ndërsa punëdhënësve u është dhënë një periudhë kalimtare deri më 31 dhjetor 2027 për përshtatjen me kërkesat e reja. Kjo do të thotë se jo të gjithë punonjësit që aktualisht paguhen nën pragun e përcaktuar do ta përfitojnë rritjen që nga paga e parë e janarit. Punëdhënësit kanë kohë deri në fund të vitit 2027 për të zbatuar plotësisht rregulloren. Masa ka rëndësi edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër, pasi prek të gjithë punonjësit që e kryejnë pjesën më të madhe të punës brenda territorit të qytetit të Zürichut, pavarësisht nëse banojnë në këtë qytet apo në komunat përreth. Kushti kryesor është që vendi kryesor i punës të jetë brenda kufijve administrativë të Zürichut dhe punonjësi të mos bëjë pjesë në kategoritë e përjashtuara. Në shumën prej 23,90 frangash bruto për orë nuk përfshihen kompensimet për pushimet vjetore dhe festat zyrtare.

Kush përjashtohet nga paga minimale?

Rregullorja nuk zbatohet për disa kategori të veçanta. Përjashtimet përfshijnë praktikat me karakter formues deri në 12 muaj, nxënësit në formim profesional, familjarët që punojnë në biznesin familjar, personat që marrin pjesë në programe integrimi, si dhe punonjësit nën moshën 25-vjeçare që nuk kanë të paktën dëftesën federale të formimit profesional (EBA). Qyteti i Zürichut planifikon që dispozitat e hollësishme për zbatimin e rregullores t’i miratojë deri në fund të tremujorit të dytë të vitit 2027. Ndërkohë, bizneset që dëshmojnë se përballen me vështirësi financiare do të kenë mundësi të kërkojnë një afat të posaçëm dyvjeçar, i cili do të llogaritet nga momenti i miratimit të këtyre dispozitave.

Vendimi u miratua me 69,43 për qind të votave

Paga minimale në Zürich ishte miratuar nga votuesit më 18 qershor 2023, kur 69,43 për qind e pjesëmarrësve në votim mbështetën këtë masë. Megjithatë, zbatimi i saj u vonua për shkak të ankesave dhe procedurave gjyqësore.

Më 12 maj 2026, Gjykata Federale konfirmoi vlefshmërinë e rregullores komunale, duke i hapur rrugën zbatimit të saj.

Me këtë vendim, Zürichu bëhet pjesë e komunave zvicerane që kanë vendosur një pagë minimale lokale, duke përcaktuar një prag të detyrueshëm të pagesës për punonjësit që punojnë kryesisht në territorin e qytetit.

Për mijëra punonjës, përfshirë edhe shqiptarët e angazhuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, kjo rregullore paraqet një ndryshim të rëndësishëm në kushtet e pagesës dhe mbrojtjen e të ardhurave nga puna./BSot

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

12-13 Nëntor 1912, Ismail Qemali u nis drejt Budapestit, në kuadër...

0
Nga Dr. Dorian Koçi Më 12 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me tren drejt Budapestit, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të siguruar mbështetjen...