Nga Dr. Dorian Koçi
Më 12 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me tren drejt Budapestit, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të siguruar mbështetjen e Fuqive të Mëdha për çështjen shqiptare. Në një moment kur Lufta e Parë Ballkanike kishte krijuar një situatë të re politike dhe ushtarake në rajon, ai synonte të parandalonte copëtimin e territoreve shqiptare nga shtetet fqinje dhe të siguronte mbështetje ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë.
Më 13 nëntor 1912, në Budapest, Ismail Qemali u takua me kontin Leopold Berchtold, ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, të cilit i paraqiti shqetësimet për zgjerimin territorial të shteteve ballkanike në dëm të trojeve shqiptare. Berchtold e siguroi se qeveria e tij kishte zhvilluar konsultime edhe me qeveritë e Italisë dhe Gjermanisë për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj zhvillimeve në Ballkan. Të tria fuqitë nuk e shihnin me sy të mirë zgjerimin territorial të Malit të Zi dhe Serbisë drejt jugut, pasi një zhvillim i tillë do të ndryshonte ekuilibrat strategjikë në rajon dhe do t’u mundësonte këtyre shteteve të zgjeronin ndikimin e tyre në Adriatik. Për Vjenën, në veçanti, pengimi i daljes së Serbisë në Adriatik përbënte një interes të rëndësishëm strategjik.
Në këtë kuadër, mbështetja për krijimin e një shteti shqiptar të pavarur përputhej me interesat e politikës së jashtme austro-hungareze, ndonëse ajo diktohej jo vetëm nga përkrahja e aspiratave kombëtare shqiptare, por edhe nga rivalitetet dhe llogaritjet gjeopolitike të Fuqive të Mëdha në Ballkan.










