
Shkruan: Jeton ARIFI
( Enkas për helveticALForum.ch )
Pavarësisht që nuk njihet zyrtarisht si një nga mrekullitë e botës, monumenti parahistorik megalitik, i cili gjendet në Fushën e Salisburit në Wiltshire të Anglisë, bartë veçantinë e tij, jo vetëm për shkak të enigmës së lidhur me strukturën e tij masive, por veçanërisht për shkak të
misterit se kur u ndërtua, kush e projektoi dhe si u ngritën, bartën e u radhitën këta gurë kaq masivë në kohën kur nuk ekzistonin makineritë e kohës sonë. Hulumtimet, analizat e teoritë shkencore të publikuara deri sot lidhur me këtë strukturë kanë ofruar konkluzione të larmishme dhe vështirë se mund të thuhet se cila teori mbizotëron ndaj tjetrës.

Burimet publikisht të qasshme ofrojnë spjegime se kjo kryevepër arkitekturale kishte funksionin e një kalendari gjigant, respektivisht një ore, e cila parashikonte kohën, jo vetëm për solisticet (verore e dimërore – ditën dhe natën më të gjatë të vitit), por madje edhe për eklipset diellore e hënore. Periudha e ndërtimit të Stonehenge është pranuar nga publiku i gjerë botëror se kishte qenë rreth 5.000 vite më parë. Teoritë e ndryshme dallojnë nga hulumtues e teoricienë të ndryshëm që janë marrë me studimin e këtij monumenti, por shumica prej tyre përcaktojnë se ky rreth gurësh masivë është afërsisht 4.600 deri 6.000 i vjetër. Ndërkaq, si arkitektë që lanë një vepër kaq madhështore si trashëgimi të njerëzimit, besohet se kishin qenë komunitetet primitive neolite të Britanisë së lashtë, për konstruktimin e të cilës, mendohet se u deshën të kalonin nëpërmes shumë fazash të ndërlikuara, asnjëra prej të cilave nuk ka arritur ende të vërtetohet përmes teorive ekzistuese. Megjithëse ende nuk është vërtetuar sakt metodologjia e ndërtimit të këtij monumenti parahistorik gurësh rrethorë, sipas enciklopedive dhe burimeve zyrtare që e promovojnë këtë si vend për të tërhequr turistë, i njëjti besohet se ishte ndërtuar përgjatë gjashtë fazave. Gurët ishin marrë nga pjesa veri-perëndimore e Britanisë nga rreth 200 km largësi, ndërsa hipotezat për bartjen e tyre i referohen transportimit përmes lumenjve, shfrytëzimin e trarëve drusorë për zvarritjen në tokë dhe jo vetëm. Këtu vlen të theksohet fakti se pjesë përbërëse e gurëve të këtij monumenti, edhe në gjendjen aktuale të ‘Stonehenge’, që me një gjuhë të zbërthyer nënkupton ‘gurë të varur’, ka gurë masivë që peshojnë nga 6 deri 25 tonë.
Cila është e vërteta e pathënë deri më sot?
Atraksioni më i madh turistik, i cili i sjell Mbretërisë së Bashkuar rreth një milionë turistë gjatë vitit, në kohën kur ishte ndërtuar njihej si ‘Vallja e Gjigantëve’ dhe i shërbente shënjimit të kohës. Ndërtuesit e vërtetë të këtij monumenti, i cili, në thelb, i dedikohej studimit të universit dhe përqendrimit të fuqisë mendore, u ndërtua rreth 10.000 vjet më parë nga një komunitet i mbijetuar i Atlantidës së fundosur, i cili përfaqësonte një qytetërim shumë të përparuar të asaj kohe, sepse Atlantida besohet të jetë fundosur rreth 11.500 vjet më parë. Guri i altarit, i cili peshon rreth 6 tonë, ndriçohej nga rrezet e Diellit në mes të stinës së verës (solsticit veror – 20 qershor). Një pjesë e këtij komuniteti, dukshëm më të përparuar në atë kohë se njerëzimi i shekullit të XXI-të, në kërkim të mbijetesës nga përmbytja e kontinentit të tij, kishte depërtuar në hemisferën e epërme të Evropës së sotme dhe jo larg nga atëherë kishte filluar ndërtimin e një monumenti si ‘Stonehenge’, i cili nuk është i vetmi i këtij lloji. Qytetërimi atlantidas ka pasur aftësi tejet të zhvilluara mendore që përmes tingujve muzikorë të ngrisë pezull e madje edhe të skalisë objekte të tilla gurore me peshë të stërmadhe, siç është rasti me gurët e ‘Stonehenge’-it.
Sipas burimeve (ndërdijes së personave të hipnotizuar, të kthyer në kohë në gjendje transi) qytetërimi i Atlantidës, Lemurias (kontinent i fundosur njëjtë si Atlantida, i cili gjendej në pjesën e poshtme të Oqeanit Paqësor) dhe qytetërimet parahistorike që jetonin në afërsi të Egjiptit të sotëm, ishin shumë më spiritualë, më të zhvilluar mendërisht dhe posedonin aftësi të manipulimit me energjinë, falë qenies së tyre hibride me qytetërime jashtëtokësore.
Aftësia për të manipuluar me energjinë e këtij qytetërimi superior, në krahasim me shoqërinë njerëzore të kohës së sotme, i ka dhënë mundësinë që një trup sado masiv e peshërëndë ta shndërrojë si trup të pa peshë, duke mënjanuar ndikimin e gravitetit. Kjo shpjegon edhe shumë mistere rreth metodologjisë së ndërtimit të objekteve të panumërta të trashëguara nga civilizime parahistorik, si piramidat e Egjiptit, Amerikës Latine dhe jo vetëm, e cila, për shkencën, vazhdon të mbetet enigmatike. Burimi i informacioneve të nxjerra gjatë viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar nga Dolores Cannon nga subjekte në gjendje transi, përmes teknikës së hipnotizimit për shërim kuantik, janë kthyer në jetë të mëparshme, në këtë rast, shumë mijëvjeçarë më herët, duke zbuluar të vërtetën e panjohur deri më tani lidhur me ‘Stonehenge’-in, i cili asokohe quhej ‘Vallja e Gjigantëve’.
Komunikimi i hipnoterapistes me ndërdijen e subjekteve të hipnotizuara, nxorri në pah se në njërën nga shumë jetët e mëparshme, ato ishin priftëresha druide. Komuniteti i lashtë pagan i druidëve shquhej për praktikimin e spiritualitetit të përqendruar në natyrë, mësimin rreth pavdekësisë së shpirtit, praktikimin e priftërimit dhe gjykimit. Metafizika, si degë e filozofisë, e cila kërkon arsyen e ekzistencës së gjithçkaje, përmes hipnoterapistëve si Dolores Cannon dhe të tjerë, çdo ditë e më shumë po zbulon misteret e të panjohurat që kanë shoqëruar qytetërimin njerëzor ndër shekuj, veçanërisht lidhur me natyrën shpirtërore të qenies njerëzore.




