Gossau, Zvicër – Mërgata shqiptare po i përcjell me shqetësim zhvillimet e fundit në Kosovë, teksa qindra qytetarë po mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për protestën e paralajmëruar. Përmes transmetimeve të drejtpërdrejta të mediave në Kosovë, nga mërgata po ndiqet minutë pas minute situata në kryeqytet, ku sheshi po mbushet me protestues, ndërsa në anën tjetër janë angazhuar edhe njësitë e Policisë së Kosovës për sigurimin dhe mbarëvajtjen e protestës. Në këtë situatë të ndjeshme, mërgata shqiptare shpreh dëshirën dhe lutjen që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe që të mos përsëriten skenat e rënda të protestës së mbrëmshme, e cila pati përplasje, të lënduar dhe arrestime.
“Mërgata shqiptare, si gjithmonë, është me sy e me shpirt nga Kosova dhe lutet që të mos ndodhë më e keqja. Ne kemi kaluar shumë vështirësi si popull dhe nuk dëshirojmë të shohim përsëri situata të rënda në vendin tonë.”
Kryesia e Shoqatës Humanitare të Luginës së Preshevës, me qendër në Gossau të Zvicrës, shpreh shqetësimin e saj për tensionet e krijuara dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë qetësinë, maturinë dhe përgjegjësinë. Sipas kryetarit të shoqatës, PhD. Dashnim Hebibi dhe të kryesisë të shoqatës është se, dëshira e mërgatës nuk është përplasje dhe konflikt, por një zgjidhje institucionale dhe politike që i shërben Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Dëshira e mërgatës shqiptare është që të gjendet një zgjidhje dhe Kosova të ecë përpara, drejt zhvillimit, stabilitetit dhe sukseseve. Nuk kemi nevojë për përçarje dhe tensione. Kemi nevojë për unitet, qetësi dhe përgjegjësi”, është mesazhi i kryesisë së shoqatës. Mërgata, e cila ndër vite ka qenë e lidhur ngushtë me zhvillimet në Kosovë dhe ka dhënë kontribut të vazhdueshëm për vendin, sot kërkon që dallimet politike të mos kthehen në përplasje mes qytetarëve dhe institucioneve. Protesta është një e drejtë demokratike e qytetarëve, por ruajtja e rendit, sigurisë dhe qetësisë mbetet përgjegjësi e të gjithëve. Pasojat e protestës së mbrëmshme janë një paralajmërim se tensionet nuk duhet të përshkallëzohen. Mërgata shqiptare shpreson që sot gjithçka të kalojë pa incidente dhe se institucionet dhe qytetarët do të tregojnë maturi.
Mesazhi nga Zvicra është i qartë: Kosova ka nevojë për qetësi, unitet dhe zgjidhje, jo për përplasje.
Mërgata shqiptare do të vazhdojë ta përcjellë nga afër çdo zhvillim në Kosovë, me shpresën që vendi të kapërcejë këtë situatë dhe të vazhdojë rrugën drejt një të ardhmeje më të sigurt, më demokratike dhe më të zhvilluar. Në këto momente kemi nevojë për fjalë të mira, për qetësi dhe maturi, e jo për deklarata apo veprime që mund të hedhin benzinë në zjarr. Mërgata shqiptare shpreson që, në kohën që ka mbetur, të gjendet një zgjidhje dhe situata të kalojë pa tensione e pa pasoja. Besojmë se ende ka hapësirë për dialog, mirëkuptim dhe reflektim. Kosova ka nevojë për qetësi dhe unitet, ndërsa qytetarët kanë nevojë për një zgjidhje që i shërben vendit dhe së ardhmes së tij. Na duhet uniteti dhe vetëm uniteti:










