Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Justina Shiroka-Pulën presidente të Republikës së Kosovës. Akademikja dhe kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës mori 81 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit. Të pranishëm ishin 84 deputetë.
Justina Shiroka-Pula ishte propozuar për presidente nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa pas votimit në Kuvend ajo është zgjedhur në krye të shtetit. Me 81 vota të deputetëve, Shiroka-Pula bëhet presidentja e re e Kosovës, duke marrë përgjegjësinë për drejtimin e institucionit më të lartë shtetëror. Shiroka-Pula aktualisht drejton Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ajo është zgjedhur në krye të ASHAK-ut në dhjetor të vitit 2025, duke u bërë gruaja e parë që udhëheq këtë institucion. E lindur në Prishtinë në vitin 1953, presidentja e re ka ndërtuar një karrierë të gjatë në fushën e ekonomisë dhe akademisë. Në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare në teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik i ka përfunduar në Zagreb në vitin 1984. Karrierën akademike e nisi në vitin 1978 në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë viteve të angazhimit universitar, ajo ka mbajtur pozita të ndryshme akademike dhe drejtuese, ndërsa në vitin 2004 është zgjedhur profesoreshë ordinare. Shiroka-Pula ka qenë gjithashtu shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit të Universitetit të Prishtinës dhe anëtare e Bordit Drejtues të universitetit. Përveç karrierës akademike, presidentja e re ka pasur edhe përvojë në institucionet shtetërore. Ajo ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, ndërsa më pas ka qenë edhe deputete në Kuvendin e Kosovës. Ajo ka ndjekur programe postdoktorale dhe trajnime akademike edhe jashtë Kosovës, përfshirë në Universitetin e Linzit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara. Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes shënon një zhvillim të rëndësishëm në skenën politike të Kosovës. Me përvojë në akademi, ekonomi, administratë dhe politikë, ajo tashmë merr detyrën e udhëheqjes së Presidencës së Republikës së Kosovës, transmeton rtk.
Justina Shiroka Pula bën betimin
Pas zgjedhjes në postin e presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula ka bërë betimin para deputetëve të Kuvendit.
“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, ishte pjesë e betimit të saj.
Shiroka Pula: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve
Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka Pula, tha se e pranon “me përgjegjësi” detyrën e re.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, tha ajo në fjalimin e saj para deputetëve.
Shiroka Pula u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e Republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.










