Nga Dahest Luma, Zvicër
FULLY, ZVICËR – Manifestimi i 34-të tradicional i Shoqatës “Medvegja”, i mbajtur në Fully të Valisit, mblodhi qindra bashkatdhetarë, veprimtarë, personalitete të jetës publike dhe përfaqësues institucionesh nga Zvicra dhe trojet shqiptare. Kjo ngjarje, e cila tashmë është shndërruar në një traditë të rëndësishme për medvegjasit në diasporë, u karakterizua nga një atmosferë vëllazërore, kombëtare dhe plot mesazhe shprese për të ardhmen e Medvegjës.

Një nga personalitetet që tërhoqi vëmendje të veçantë ishte Dr. Gjenis Haxhimehmeti, diplomat dhe sekretar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë. Pjesëmarrja e tij në këtë manifestim u konsiderua si një nder i veçantë për Shoqatën “Medvegja” dhe për të gjithë medvegjasit e pranishëm.

Dr. Haxhimehmeti nuk ishte për herë të parë në mesin e medvegjasve. Ai prej vitesh ka mbështetur aktivitetet e komunitetit shqiptar nga Lugina e Preshevës në Zvicër dhe ka marrë pjesë në ngjarje të ndryshme kulturore, kombëtare dhe shoqërore. Pikërisht për këtë arsye, ai gëzon respekt dhe autoritet të veçantë në mesin e bashkatdhetarëve, të cilët e vlerësojnë për qasjen e tij njerëzore, profesionalizmin, urtësinë dhe modestinë që e karakterizon. Gjatë manifestimit, Dr. Haxhimehmeti mbajti një fjalë rasti, e cila u prit me interes dhe duartrokitje të shumta nga të pranishmit. Në fjalimin e tij, ai vuri në pah rëndësinë e organizimit dhe bashkimit të shqiptarëve të Medvegjës kudo që ndodhen, duke theksuar se diaspora ka një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në mbështetjen e vendlindjes.

Dr. Haxhimehmeti së bashku me Ambasadorin Demiri dhe kryetarin e SHH “Medvegja”, z. Zenel Neziri
“Sa më e fortë të jetë Shoqata ‘Medvegja’, aq më të mëdha do të jenë gjasat për një Medvegjë më të fuqishme, më të organizuar dhe me perspektivë më të mirë për brezat që vijnë,” theksoi ai, duke bërë thirrje për unitet, solidaritet dhe angazhim të përbashkët.
Mesazhi i tij u mirëprit nga të gjithë pjesëmarrësit, të cilët e vlerësuan si një zë të arsyes dhe të bashkimit. Të pranishmit shprehën mirënjohjen e tyre për interesimin dhe afërsinë që Dr. Haxhimehmeti ka treguar vazhdimisht ndaj çështjeve që preokupojnë banorët e Medvegjës dhe të gjithë Luginës së Preshevës. Në këtë aktivitet, Dr. Haxhimehmeti ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë, Rexhep Demiri, Dr. Dashnim Hebibi, kryetar i Shoqatës “Lugina e Preshevës” në Zvicër, Florim Useini, kryetar i Rrjetit të Miqësisë në Zvicër, veprimtari i njohur Bekim Imeri, atdhetari i dëshmuar nga Ilirida, Shabi Matnjani, si dhe shumë veprimtarë, intelektualë dhe personalitete të tjera të komunitetit shqiptar. Pjesëmarrja e këtyre figurave të njohura i dha një dimension të veçantë manifestimit, duke dëshmuar mbështetjen e gjerë që gëzon Shoqata “Medvegja” dhe rëndësinë që ka ajo në ruajtjen e lidhjeve mes diasporës dhe vendlindjes. Shoqata “Medvegja”, e cila prej më shumë se tri dekadash vepron në Zvicër, ka luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin e komunitetit, ruajtjen e traditave kombëtare, promovimin e kulturës shqiptare dhe sensibilizimin për sfidat me të cilat përballen shqiptarët e Medvegjës. Përmes aktiviteteve të shumta, ajo ka arritur të mbajë të gjallë lidhjen e brezave të rinj me origjinën e tyre dhe të forcojë ndjenjën e përkatësisë kombëtare.

Manifestimi i 34-të dëshmoi edhe një herë se medvegjasit, pavarësisht largësisë nga vendlindja, mbeten të bashkuar rreth idealeve dhe vlerave të përbashkëta. Prania e personaliteteve si Dr. Gjenis Haxhimehmeti, të cilët me përkushtim dhe urtësi mbështesin komunitetin, u vlerësua si një motiv shtesë për vazhdimin e rrugëtimit drejt një të ardhmeje më të mirë për Medvegjën dhe për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës. / helveticALForum.ch




