Përgatiti Dashnim HEBIBI
Derendigen, 21 qershor 2026 – Edhe pse fundjava e tij ishte e ngarkuar me aktivitete të shumta, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, dëshmoi edhe një herë përkushtimin e tij të palëkundur ndaj bashkatdhetarëve. Vetëm një ditë pasi ishte në mesin e medvegjasve në një aktivitet të rëndësishëm komunitar, ai nuk harroi të jetë pranë edhe bashkëvendësve të tij në një turnir tradicional futbolli që u mbajt në Zvicër. Pavarësisht temperaturave të larta dhe motit përvëlues që mbretëroi gjatë gjithë ditës, Ambasadori Demiri zgjodhi të jetë i pranishëm mes bashkatdhetarëve, duke i nderuar ata me pjesëmarrjen e tij. Prania e tij në ngjarje të tilla është bërë tashmë një simbol i afërsisë, respektit dhe përkushtimit ndaj komunitetit shqiptar në Zvicër.
Në çdo aktivitet që organizohet nga diaspora jonë, emri i Ambasadorit Demiri përmendet me respekt dhe admirim. Bashkatdhetarët dëshirojnë ta kenë pranë në tubime kulturore, sportive dhe kombëtare, pasi ai shihet si një figurë që frymëzon unitet, bashkëpunim dhe zhvillim të mëtejshëm të komunitetit shqiptar. Me qasjen e tij modeste, komunikimin e hapur dhe gatishmërinë për të qenë gjithmonë pranë qytetarëve, ai ka fituar zemrat e shumë mërgimtarëve. Kontributi i tij në unifikimin e diasporës shqiptare jo vetëm të RMV-së në Zvicër po vlerësohet gjithnjë e më shumë. Për shumë veprimtarë dhe anëtarë të komunitetit, Ambasadori Demiri ka arritur të krijojë ura bashkëpunimi mes shoqatave, organizatave dhe individëve, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe solidaritetit. Falë kësaj qasjeje, mërgata shqiptare nga RMV-ja po shfaqet më e organizuar dhe më e fuqishme se kurrë më parë. Siç mëson HelveticALForum.ch, Ambasadori Demiri mori pjesë në turneun tradicional të futbollit të vogël, të organizuar nga Shoqata Kulturore Kërçova në Zvicër, një manifestim që prej vitesh mbledh dhjetëra ekipe dhe qindra pjesëmarrës nga komuniteti shqiptar.

Me këtë rast, Ambasadori Demiri e përshkroi pjesëmarrjen e tij me këto fjalë:
“Sot pata nderin dhe kënaqësinë të jem i ftuar nga Shoqata Kulturore Kërçova në Zvicër për të marrë pjesë në turneun tradicional të futbollit të vogël. Me këtë rast, u përfaqësuam me ekipin e fshatit Kastriot, duke marrë pjesë në një aktivitet që bashkon bashkatdhetarët tanë përmes sportit, miqësisë dhe respektit të ndërsjellë. Në përfundim të turneut, pata nderin e veçantë të dorëzoj çmimin për vendin e parë, duke përgëzuar fituesit dhe duke vlerësuar organizimin e shkëlqyer të këtij manifestimi sportiv e kulturor. Falënderoj Shoqatën Kulturore Kërçova për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë, si dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuan në suksesin e këtij aktiviteti.”
Fjalët e ambasadorit pasqyrojnë qartë filozofinë e tij të veprimit, ku sporti, kultura dhe aktivitetet komunitare shihen si mjete të fuqishme për afrimin e njerëzve dhe forcimin e lidhjeve mes bashkatdhetarëve. Turneu nuk ishte vetëm një garë sportive, por një festë e vlerave të përbashkëta, e miqësisë dhe e identitetit kombëtar. Pjesëmarrësit dhe organizatorët e vlerësuan lart praninë e Ambasadorit Demiri, duke e konsideruar atë një mbështetje të vazhdueshme për iniciativat e diasporës. Për shumë prej tyre, ai mbetet një shembull i përfaqësimit dinjitoz institucional dhe një zë që dëgjon dhe kupton nevojat e bashkatdhetarëve. Me energjinë, përkushtimin dhe afërsinë që e karakterizon, Ambasadori Rexhep Demiri vazhdon të forcojë lidhjet mes institucioneve dhe diasporës, duke dëshmuar se roli i një ambasadori nuk kufizohet vetëm në diplomaci, por edhe në shërbim të komunitetit, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e vlerave që bashkojnë shqiptarët kudo që ndodhen, transmeton helveticALForum.ch.




