Samiti i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, i organizuar për herë të parë nga Turqia pas 22 vitesh, ka hyrë në ditën e tij vendimtare. Nën mikpritjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, liderët e vendeve anëtare do të zhvillojnë sot seancën kryesore, ku pritet të diskutohen çështje kyçe për sigurinë globale dhe të ardhmen e Aleancës.
Sipas programit zyrtar, liderët do të bëjnë fillimisht foton familjare në orën 11:00, ndërsa 15 minuta më vonë do të nisë seanca plenare me pjesëmarrjen e presidentit Erdoğan dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Në përfundim të takimeve, Rutte pritet të mbajë një konferencë për shtyp, ndërsa edhe liderë të tjerë do të dalin me deklarata mbi vendimet dhe diskutimet e zhvilluara.
Në fokus të samitit janë rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, forcimi i kapaciteteve të industrisë ushtarake, përgjegjësia e Evropës për sigurinë dhe drejtimi i ardhshëm strategjik i NATO-s. Gjithashtu, liderët do të diskutojnë zhvillimet e fundit në Iran, marrëdhëniet transatlantike, praninë ushtarake amerikane në Evropë dhe udhërrëfyesin e ri të Aleancës.
Samiti në Ankara konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e NATO-s, pasi ka mbledhur krerët e shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare, së bashku me liderë të ftuar, rreth 100 ministra dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Dita e parë e samitit u karakterizua nga një axhendë intensive diplomatike. Presidenti Erdoğan zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe me liderë të ndryshëm, ndërsa një nga momentet më të rëndësishme ishte vizita e presidentit amerikan Donald Trump në Ankara dhe takimi i tij me homologun turk. Aktivitetet e ditës së parë u mbyllën me një pritje dhe darkë shtetërore të organizuar nga Presidenti Erdoğan dhe bashkëshortja e tij, Emine Erdoğan, transmeton rtsh.




