Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot pritet të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 7 qershor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se mbledhja e KQZ-së do të mbahet sot, e mërkurë, në orën 11:00.
“Ju njoftoj se sot (e mërkurë, 8 korrik 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor. Mbledhja është caktuar pas vendosjes nga Gjykata Supreme për ankesat e paraqitura në këtë institucion”, ka deklaruar Elezi.
Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara pesë ankesat administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, transmeton rtsh.




