Cyrih, 03 shtator 2026 – Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih priti sot një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në kuadër të agjendës së takimeve zyrtare të delegacionit në Bernë. Delegacioni u kryesua nga Sekretari i Përgjithshëm i MPJD-së, z. Ilir Muçaj, ndërsa pjesë e tij ishte edhe z. Valdrin Grainca, Udhëheqës i Divizionit për Evropë dhe Bashkim Evropian. Delegacioni u prit nga Shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, i cili e vlerësoi vizitën si një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës. Gjatë takimit u diskutua për një sërë çështjesh me interes të përbashkët institucional, me theks të veçantë në koordinimin ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Konsullatës së Përgjithshme në Cyrih.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe avancimit të mëtejshëm të shërbimeve konsullore dhe institucionale për mërgatën kosovare në Zvicër. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërinstitucional për të garantuar shërbime sa më efikase dhe të përshtatura me nevojat e qytetarëve kosovarë që jetojnë në Zvicër. Përmes kësaj vizite, MPJD-ja dhe Konsullata e Përgjithshme në Cyrih riafirmuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë institucional, veçanërisht në funksion të forcimit të lidhjeve me diasporën dhe përmirësimit të shërbimeve që u ofrohen qytetarëve të Republikës së Kosovës jashtë vendit.
Vizita në Cyrih u zhvillua në kuadër të agjendës zyrtare të delegacionit të MPJD-së në Bernë dhe përbën një tjetër hap në drejtim të koordinimit më të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe përfaqësive të saj diplomatike e konsullore në Zvicër, njofton Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Cyrih, përcjell helveticALforum.ch.










