Më 17 tetor 2026, Shoqata Humanitare „Nënë Tereza”, në kuadër të Ditës së Dyerve të Hapura, përuroi Bibliotekën „Nënë Tereza” në Luzern, duke shënuar një moment të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Zvicër. Kjo nismë synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për librin, gjuhën shqipe, dijen dhe kulturën, duke kontribuar në ruajtjen dhe përcjelljen e identitetit kombëtar te brezat e rinj.
Programi u moderua nga znj. Fatima Kalimashi, e cila theksoi rëndësinë e librit dhe të kulturës si ura lidhëse ndërmjet brezave.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Shoqatës z. Nue Zalli, paraqiti një përmbledhje të themelimit dhe rrugëtimit të shoqatës, duke vënë në pah se veprimtaria e saj shtrihet përtej angazhimit humanitar, duke përfshirë edhe ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Më pas, z. Xhafer Zeqiri prezantoi historikun dhe rrugëtimin e bibliotekës, ndërsa z. Bardhec Berisha paraqiti vizionin dhe projektet e saj për të ardhmen, duke theksuar rolin e bibliotekës në zhvillimin e dijes, kulturës dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Hapja zyrtare e Bibliotekës „Nënë Tereza” u bë nga z. Xheloc Deda, duke shënuar kështu fillimin e një etape të re në shërbim të lexuesve dhe komunitetit shqiptar.
Në vijim, znj. Liljana Doda Gojani prezantoi mënyrën e qasjes në fondin e bibliotekës dhe katalogimin e librave sipas kategorive, duke orientuar të pranishmit në organizimin dhe shfrytëzimin e katalogut, ku u theksua se edhe platforma digjitale lexoshqip.ch do të jetë në ndihmë të lexuesit.
Atmosfera festive u pasurua nga tingujt e muzikës shqiptare, të interpretuar me elegancë dhe finesë nga këngëtarja znj. Gentjana Tafili, e shoqëruar nga instrumentisti z. Rafael Lishi.
Përshëndetjet e tyre i përcollën gjithashtu profesor Nysret Pllana dhe poetët z. Tonin Nikolli dhe z. Bujar Salihu, të cilët shprehën mbështetjen për këtë nismë kulturore në shërbim të komunitetit shqiptar. Shoqata Humanitare „Nënë Tereza” shpreh mirënjohjen e saj për të gjithë bashkatdhetarët, dashamirësit e librit dhe përkrahësit e kësaj nisme, të cilët u bënë pjesë e gëzimit të përurimit. Një shtëpi për librin, një urë për brezat, një kujtesë për të ardhmen, transmeton Shoqata Humanitare „Nënë Tereza”, përcjell helveticALforum.ch.










