Intervistoi: Sokol Paja
1. E nderuar Lejda si lindi ideja për spektaklin “Beyond the Runway”? Cilat janë të veçantat e spektaklit të 12 shtatorit në New York?
“Beyond the Runway” është vazhdim i eksperiencës sime personale përgjatë trajtimit të kancerit. Është një mesazh për motrat, nënat dhe vajzat që jeta vazhdon edhe pas trajtimeve të kancerit. Është një thirrje për të mos humbur kurajon dhe guximin për të mposhtur sfidën, por edhe për të arritur suksese dhe maja më të larta.

2. Çfarë synoni të përcillni përmes këtij eventi dhe çfarë e bën “Beyond the Runway” të ndryshëm nga një sfilatë tradicionale mode të organizuara më herët prej jush?
Forca, guximi, sakrifica dhe dashuria arrijnë t’i shndërrojnë ëndrrat në realitet. Dhe sot, që pothuajse jam në përfundim të trajtimeve të mia, dëshiroj t’i them publikut se pas çdo veshjeje është një histori, një dhimbje, një lot, një buzëqeshje, një dritë suksesi.
Çfarë e bën të ndryshme këtë sfilatë është silent auction. Një nga fustanet është dhuruar për Memorial Sloan Kettering Cancer Center dhe do të shitet në silent auction. Të ardhurat do të shkojnë për kërkimet shkencore mbi kancerin e gjirit (breast cancer research). Bashkëpunimi me Memorial Sloan Kettering Cancer Center e bën edhe më kuptimplotë këtë event.
3. Cili është roli i këtij spektakli në promovimin e veshjeve shqiptare, modeleve dhe promovimin e dizajnerëve shqiptarë?
Pjesa më e madhe e veshjeve kanë punime dore, me grep apo qëndisje, një traditë mjaft e lashtë shqiptare.
Gjithashtu, është përdorur ngjyrosje natyrale e copave me fruta – një aftësi e trashëguar nga nënat dhe gjyshet tona.

Në këtë sfilatë kam integruar pjesë të bëra me dorë, dhuratë nga një mësuese e shkollës së mesme, nga nëna ime dhe nga kushërirat e mia. Dhe them me plot bindje se çdo pjesë e integruar më ka dhënë forcë dhe energji gjatë kësaj lufte jo të lehtë. Pozitiviteti dhe dashuria e tyre ishin pjesë e forcës time në këtë luftë.
4. Sipas gjykimit tuaj, si ndikon moda në mënyrën se si njerëzit e shohin, njohin dhe e shprehin veten?
Moda shihet në mënyra të ndryshme. Për mua, është ndjenja që më jep kur krijoj diçka të re – është një fllad pranvere, është një luftëtar i jetës, është një dritare ku shohim të ardhmen, është një prekje ku ndjehemi të lumtur.
5. “Beyond the Runway” bashkon modën, muzikën, modelet dhe artin në një eksperiencë të veçantë. A është ky spektakël një prezantim i vlerave shqiptare ndërkombëtarisht?
Puna e dorës, muzika shqiptare, të ftuarit – pjesa më e madhe janë shokë e miq shqiptarë. Pjesa dërrmuese e grupit (99%) që organizuam këtë sfilatë sot jemi shqiptarë.
Bashkuar këtu janë mjekë, inxhinierë, policë, shkencëtarë të ardhshëm, studentë shqiptarë… shokë e miq që qëndruan pranë meje gjatë trajtimeve mjekësore dhe tani gjatë realizimit të kësaj ëndrre.
Për mua, ky grup është spektakli i vërtetë i vlerave shqiptare. Bashkimi bën fuqinë – ka qenë një moto shqiptare. Bashkimi më dha forcë dhe jetë dhe tani ky bashkim i jep vlerën më të madhe këtij spektakli.
6. A keni menduar që “Beyond the Runway” të shndërrohet në një event të përvitshëm apo në një platformë më të gjerë për talentet e reja të modës e promovimit të veshjeve tradicionale shqiptare?
Është një ide. Kam parë që po organizohen spektakle nga dizajnerë shqiptarë. Koha po vjen që, me siguri, në të ardhmen do të bëjmë diçka së bashku.
Foto: “Fashion Week Studio” /GD










