Budapest – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Hungari, Delfin Pllana, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Anita Orban, me rastin e Konferencës së Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve Diplomatike e Konsullore të Hungarisë.
Gjatë aktivitetit, Ambasadori Pllana zhvilloi një takim me ministren Orban, me të cilën diskutoi për zhvillimet në rajon, perspektivën evropiane të Kosovës dhe mundësitë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.
Pllana e falënderoi ministren hungareze për qasjen e re ndaj procesit të integrimit evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vendeve të rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në këtë kuadër, ambasadori shprehu interesimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit bilateral me Hungarinë, veçanërisht në fushën e integrimit evropian. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen hungareze për procesin e integrimit të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
Në kuadër të Konferencës, Ambasadori Pllana zhvilloi takime edhe me zyrtarë të lartë të diplomacisë hungareze, si dhe me homologë diplomatikë nga vendet e rajonit. Bisedimet u përqendruan në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë aktivitet diplomatik u cilësua si një mundësi e rëndësishme për avancimin e komunikimit politik dhe diplomatik me Hungarinë, si dhe për identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit në interes të të dyja vendeve, njofton Ambasada e Kosovës në Hungari, përcjell helveticALforum.ch.
Ambasadori Pllana rikonfirmoi angazhimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Hungarinë dhe për forcimin e partneriteteve që kontribuojnë në perspektivën evropiane të Kosovës dhe në bashkëpunimin më të gjerë rajonal.










