Nga Rafaela Prifti
Presidentja e RIT Kosovo, Dr. Albina Balidemaj-Basha, Gjeneral Xhavit Gashi, Drejtor i Programit Veror për Paqe dhe Konflikt “Fred Cuny” dhe Shef i Zhvillimit në universitet, Dr. Leandrit Mehmeti, Pro Dekan u pritën nga Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha, anëtari i Kryesisë Ilir Cubi dhe Drejtuesja e Fondit Arsimor të Vatrës, Rafaela Prifti në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në Bronks, paraditen e së enjtes.
Takimi krijoi hapësirë për njohje të ndërsjellë të përvojave dhe përparësive, si dhe për diskutimin e mundësive të bashkëpunimit në fushën e arsimit. Mundësitë e bashkëpunimit mund të përfshijnë projekte të përbashkëta, aktivitete edukative, trajnime, praktika profesionale dhe shkëmbim njohurish. Bashkërendimi dhe nismat konkrete që u diskutuan mund ta kthejnë këtë takim në nisma bashkëpunimi afatgjata dhe të dobishme për studentët dhe komunitetin.
Dr. Balidemaj-Basha, e cila ka angazhim shumë të gjatë me RIT Kosova, midis të tjerave, edhe si Dekane Fakulteti, është e para shqiptare e Kosovës dhe shqiptare-amerikane, e emëruar presidente e RIT Kosovo. Në këtë rol që nga korriku 2026, ajo udhëheq institucionin në një fazë të re të zhvillimit akademik dhe institucional. Gjen. Gashi sjell përvojën e tij në programin “Fred Cuny”, i cili përqendrohet te paqja dhe konfliktet, si dhe në ecurinë e gjithë universitetit.
“Përvoja e RIT Kosovo, kontributi i shumë të diplomuarve shqiptarë dhe potenciali i Vatrës në shumë disiplina si ekonomike, diplomatike, humanitare e kërkimore e bëjnë bashkëpunimin me Vatrën veçanërisht domethënës, me perspektiva për të krijuar mundësi të reja për brezat e rinj,” tha Krytari i Vatrës Dr. Elmi Berisha. Në takim, ai prezantoi certificatë mirënjohje për Dr. Balidemaj-Basha dhe Gjen. Gashi.
RIT Kosovo zë një vend të veçantë në arsimin e lartë për shkak të lidhjes akademike me Rochester Institute of Technology në SHBA, diplomës së RIT-it dhe orientimit praktik të studimeve. Për shumë studentë shqiptarë të diplomuar aty, kjo përvojë ka ofruar një kombinim të arsimit me perspektivë ndërkombëtare dhe përgatitjes për karrierë. Rëndësia e institucionit dallohet për kontributin e të diplomuarve në zhvillimin e Kosovës, në nivel rajonal dhe global.
Pjesë e delegacionit që vizitoi Vatrën ishin Dr. Leandrit Mehmeti, Pro Dekan i RIT Kosova, Andina Pepshi, Rrezona Aliu. Ata prezatuan vlerësim mirënjohje për Kryetarin e Vatrës Berisha dhe shprehën entuziazëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit. Më pas, vizitorët dhe nikoqirët vendosën lule për tre vëllezërit Bytyqi, dhe mbajtën një minutë heshtje për të nderuar “heronjtë e luftës”, siç u shpreh Gjen. Xhavit Gashi.
Delegacioni i RIT Kosovo ka ardhur në Nju Jork në kuadër të darkës vjetore të mbledhjes së fondeve që u mbajt në Russian Tea Room të mërkurën në mbrëmje./GD










