POSTIMET E FUNDIT

AMBASADORI DR.BERISHAJ, MBAJTI LIGJERATË PARA DIPLOMATËVE TË RINJ KROAT

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zagreb, Dr. Martin Berishaj, pati kënaqësinë që para diplomatëve të rinj dhe stafit të Ministrisë Kroate për Punë të Jashtme dhe Evropiane, respektivisht në Akademinë Diplomatike Kroate, të mbajë një ligjëratë mbi rrugëtimin historik, politik, shoqëror dhe ushtarak të Kosovës, nga përpjekjet shumëvjeçare për liri dhe shtetformim deri te shpallja e pavarësisë dhe konsolidimi i tanishëm.

Në paraqitjen e tij, Ambasadori Berishaj foli për dimensionin historik të çështjes shqiptare në Ballkan, duke theksuar se Shteti i Kosovës përfaqëson një kompromis historik të shqiptarëve, të cilët padrejtësisht mbetën të ndarë në disa shtete, megjithatë arritën të ruajnë identitetin kombëtar, orientimin perëndimor dhe aspiratën e pandërprerë për liri, demokraci dhe integrim euro-atlantik. Ai potencoi se rrugëtimi i Kosovës nuk mund të kuptohet pa sakrificën kolektive të qytetarëve të saj dhe pa përkrahjen e aleatëve.

Ambasadori ndaloi veçanërisht tek sfidat aktuale gjeopolitike në Ballkan, duke folur për praninë dhe ndikimin destabilizues të faktorëve pro-rusë në rajon. Në këtë kontekst, ai vlerësoi se politikat hegjemone dhe narrativat nacionaliste të trashëguara nga regjimi i Millosheviqit vazhdojnë të manifestohen edhe sot përmes politikave të pushtetit në Serbi, të cilat, sipas tij, paraqesin rrezik për stabilitetin afatgjatë, sigurinë rajonale dhe perspektivën euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë, Ambasadori Berishaj theksoi se ato janë marrëdhënie të shkëlqyera, miqësore dhe strategjike, të ndërtuara jo vetëm mbi bashkëpunimin modern diplomatik e institucional, por edhe mbi një taban të fuqishëm historik, përvoja të përbashkëta dhe mirëkuptim të ndërsjellë ndërmjet dy popujve. Ai nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Kosovës në proceset shtetformuese, integruese dhe ndërkombëtare.

Në vijim, Ambasadori foli edhe për rëndësinë strategjike të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një perimetër të rëndësishëm sigurie dhe stabiliteti në rajon. Sipas tij, forcimi i aleancave ndërmjet vendeve që ndajnë vlera demokratike dhe orientim euro-atlantik është thelbësor për të parandaluar depërtimin e ndikimeve destabilizuese ruse dhe për të garantuar paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate..

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga diplomatët e pranishëm kroatë, të cilët shtruan pyetje të shumta dhe zhvilluan diskutime lidhur me rrugëtimin historik të Kosovës, proceset shtetformuese, zhvillimet aktuale politike dhe sfidat e sigurisë me të cilat përballet sot rajoni. Interes i veçantë u tregua edhe për perspektivën euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor, raportet rajonale dhe rolin e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, transmeton Ambasada e Kosovës në Kroaci, njofton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB