Turne i Mundjes së Duarve “Gjergji i Pamposhtur” në Bülach të Zvicrës
Në kuadër të shënimit të 621-vjetorit të lindjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Shoqata “Gjergj Kastrioti” në Zvicër do të organizojë më 31 maj 2026 turneun e mundjes së duarve “Gjergji i Pamposhtur”, një aktivitet sportiv dhe kulturor që synon të bashkojë shqiptarët nga vende të ndryshme përmes garës, traditës dhe frymës së komunitetit.

Ngjarja do të mbahet në adresën Grampenweg 5, 8180 Bülach, me fillim në orën 12:00, ndërsa pritja e pjesëmarrësve do të nisë nga ora 11:30.
Turneu është i hapur për femra dhe meshkuj, duke ofruar mundësi pjesëmarrjeje për të gjithë sportdashësit që dëshirojnë të sfidojnë forcën dhe qëndrueshmërinë e tyre. Përveç garës sportive, organizatorët kanë paraparë një program të pasur artistik dhe kulturor.
Të pranishmit do të kenë mundësinë të shijojnë performancat e Ansamblit “VATRA” nga Bülachu, si dhe paraqitje nga personalitete të njohura të fushave të ndryshme, ndër ta historiani i mirënjohur Paulin Zefi, artisti Refki Gollopeni, moderatori Artan Muhaxhiri dhe këngëtarja Fjolla Berisha. Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe familjeve dhe fëmijëve, për të cilët do të organizohen lojëra, aktivitete argëtuese dhe punëtori kreative. Organizatorët theksojnë se hyrja është e lirë dhe pjesëmarrja mbetet sipas dëshirës së secilit. Me këtë aktivitet, Shoqata “Gjergj Kastrioti” synon jo vetëm promovimin e sportit, por edhe forcimin e identitetit kombëtar, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe afrimin e komunitetit shqiptar në diasporë. Turneu “Gjergji i Pamposhtur” pritet të jetë një ngjarje e veçantë, duke sjellë së bashku sportin, kulturën dhe krenarinë kombëtare nën emrin e heroit legjendar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, transmeton helveticALForum.ch, ku është edhe sponsor medial.




