Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar me ushtruesen e detyrës së Presidentes dhe njëherësh ushtruese e detyrës së kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe rëndësinë e procesit zgjedhor të 7 qershorit.
Përmes një postimi në Facebook, Hargreaves ka bërë të ditur se në fokus të takimit ishte nevoja që legjislatura e re të jetë në gjendje ta zgjedhë presidentin pas zgjedhjeve, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja dhe humbja e mundësive për Kosovën.
“U takova me ushtruesen e detyrës së presidentes dhe ushtruesen e detyrës së kryetares së kuvendit, Albulena Haxhiu. Diskutuam rëndësinë që kuvendi i ri të jetë në gjendje ta zgjedhë presidentin pas zgjedhjeve, për të shmangur zgjedhje të tjera dhe humbjen e mundësive për Kosovën. Theksova nevojën që partitë politike të bëjnë kompromis për të shmangur një skenar të tillë”, ka shkruar Hargreaves.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për gjuhën e urrejtjes dhe sulmet ndaj grave në politikë, duke i cilësuar ato si “abuzim të tmerrshëm” në rrjetet sociale.
“Gjithashtu diskutuam abuzimin e tmerrshëm ndaj grave politikane në rrjetet sociale dhe shpresuam që të gjithë liderët partiakë ta bëjnë të qartë se kjo është e papranueshme”, ka theksuar ambasadori britanik.
Ndërkohë, nga Presidenca e Kosovës është bërë e ditur se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në procesin zgjedhor, rëndësinë e mbarëvajtjes së tij dhe ruajtjen e stabilitetit institucional.
Në njoftim thuhet se ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit të ngushtë ndërmjet dy vendeve, transmeton rtk.




