Me 175 nxënës të regjistruar dhe me një mision të qartë për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj, Shkolla e Gjuhës Shqipe në Miçigan është gati të nisë vitin e ri shkollor më 14 shtator.
Drejtori i shkollës, Agron Dedivanaj, ka bërë të ditur se përgatitjet për vitin e ri shkollor kanë përfunduar dhe se shkolla do t’i mirëpresë nxënësit me të njëjtin përkushtim ndaj gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare.
“Me kënaqësi dhe krenari ju njoftojmë se këtë vit shkollor e fillojmë me 175 nxënës, të cilët do të vazhdojnë të mësojnë, ruajnë dhe kultivojnë gjuhën shqipe, kulturën dhe traditat tona”, shprehet Drejtori Agron Dedivanaj.
Ai thekson se numri i nxënësve është një dëshmi e rëndësishme e interesimit të familjeve shqiptare për edukimin në gjuhën amtare dhe për ruajtjen e lidhjes së fëmijëve me rrënjët e tyre.
Në fillim të vitit shkollor, nxënësve do t’u shpërndahen edhe abetaret e dhuruara, të cilat do t’u shërbejnë gjatë procesit të mësimit.
Shkolla e Gjuhës Shqipe financohet, organizohet dhe realizohet nga Shoqata “Jehona e Malësisë”, falë mbështetjes së donatorëve të devotshëm. Drejtori Dedivanaj shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar për të bërë të mundur funksionimin e shkollës dhe vazhdimin e misionit të saj. / Diaspora Shqiptare, transmeton Albanian News.










