Albanians Fighting Cancer USA shënon këtë vit 7-vjetorin e themelimit, duke mbledhur së bashku komunitetin shqiptar në një mbrëmje të veçantë, kushtuar solidaritetit, shpresës dhe mbështetjes për pacientët me kancer dhe spitalet në Shqipëri.
Gjatë këtyre shtatë viteve, organizata ka vijuar misionin e saj për të ndihmuar pacientët dhe për të kontribuar në përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri. Përvjetori vjen si një moment reflektimi mbi rrugëtimin e bërë, por edhe si një mundësi për të forcuar më tej përkushtimin ndaj kësaj kauze.
Një nga të ftuarat e nderit të kësaj mbrëmjeje do të jetë Dr. Lidia Spaho-Fecami, mjeke gastroenterologe, e cila ka mbështetur misionin e organizatës jo vetëm përmes njohurive dhe përvojës së saj profesionale, por edhe përmes bujarisë dhe përkushtimit ndaj komunitetit.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të bisedojnë me Dr. Spahon, t’i drejtojnë pyetje dhe të marrin informacione të dobishme mbi shëndetin, duke e kthyer këtë takim edhe në një hapësirë të vlefshme ndërgjegjësimi dhe komunikimi.
E ftuar speciale e eventit do të jetë gjithashtu Mira Kazhani, shkrimtare dhe një prej zërave të njohur të medias shqiptare, e cila përmes shkrimeve dhe podcastit të saj ka krijuar një lidhje të veçantë me publikun.
Takimi me Mira Kazhanin do të jetë një mundësi për një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë mbi librin, idetë dhe temat që prekin shoqërinë shqiptare. Mbrëmja do të vijojë me një seancë të veçantë firmosjeje të librit, ku të pranishmit mund të sjellin kopjen e tyre ose ta blejnë librin gjatë eventit dhe ta marrin me dedikim personal nga autorja.
Përveç pjesës kulturore dhe ndërgjegjësuese, festa e 7-vjetorit do të shoqërohet me muzikë live dhe kuzhinë shqiptare, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive për të gjithë pjesëmarrësit.
Organizatorët u bëjnë thirrje anëtarëve të komunitetit shqiptar të bashkohen në këtë festë, të ftojnë miqtë dhe familjarët e tyre dhe të kontribuojnë në një kauzë që synon të bëjë një ndryshim konkret në jetën e pacientëve me kancer dhe në mbështetjen e institucioneve shëndetësore në Shqipëri, transmeton Albanian News.










