Përgatiti Dashnim HEBIBI
Zürich – Me rastin e ndarjes nga jeta të Sejfedin Prekazit, në Zagreb të Kroacisë, aktori dhe regjisori i njohur shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër, Adem Kicaj, ka shprehur dhimbjen dhe mallin për mikun e tij të çmuar të kulturës shqiptaro-kroate. Në një mesazh përkujtimor, Kicaj kujton me emocion miqësinë e gjatë me Sejfedin Prekazin dhe takimet e tyre në Kroaci, si dhe kontributin e tij të veçantë në realizimin e aktiviteteve dhe shfaqjeve teatrore të Akademisë IFTP për Teatër dhe Film nga Zvicra. Z. Prekazi ishte redaktor i Informatorit dhe kryetar i Shoqatës Shqiptare të Zagrebit.
“Sejfedin Prekazi ishte miku im i kulturës shqiptaro-kroate. Do ta kujtoj për jetë për takimet që kemi pasur në Kroaci dhe për mundësitë e mira që na krijoi për të prezantuar teatrin tonë në Zagreb”, shprehet Kicaj.
Sipas tij, Sejfedin Prekazi kishte luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin dhe menaxhimin e shfaqjeve teatrore të ardhura nga Zvicra, duke ndihmuar kështu në krijimin e urave të bashkëpunimit kulturor ndërmjet komunitetit shqiptar në Zvicër dhe institucioneve e publikut në Kroaci. Kicaj kujton veçanërisht paraqitjet e aktorëve të Akademisë IFTP në skenat e Zagrebit, ku falë mbështetjes dhe përkushtimit të Sejfedin Prekazit, u krijuan mundësi të rëndësishme për promovimin e artit skenik shqiptar. Në kujtimet e tij përmenden edhe takimet me figura të njohura të jetës kulturore shqiptare, ndër ta Dr. Llukman Halili dhe PhD Dashnim Hebibi, me të cilët kishte ndarë momente të veçanta të veprimtarisë kulturore.
Sejfedin Prekazi ishte vëllai i regjisorit të njohur Sadedin Prekazi, i cili la gjurmë në historinë e Televizionit të Prishtinës, ndër të tjera edhe me serialin televiziv “Fidani”. Për Adem Kicajn, por edhe për Akademinë IFTP për Teatër dhe Film në Zvicër, ndarja nga jeta e Sejfedin Prekazit është humbje e një miku, bashkëpunëtori dhe njeriu që i kushtoi rëndësi lidhjeve kulturore shqiptaro-kroate.
“Në emër të Akademisë IFTP për Teatër dhe Film, nga Zvicra, e kujtojmë njeriun e kulturës që na përfaqësonte dhe na mbështeti në Kroaci. Sejfa na iku nga kjo botë, por kujtimi për të do të mbetet gjatë. Sejfedin Prekazin do ta kujtojmë nga Zürichu me respekt, mall dhe mirënjohje.”
Për njerëzit e artit, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, Sejfedin Prekazi do të mbetet në kujtesë si një njeri që besonte në kulturën si urë lidhëse mes njerëzve dhe vendeve. Lavdi kujtimit të Sejfedin Prekazit!










