Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, i përfaqësuar nga Prorektorja për Mësimdhënie, Çështje Studentore dhe Kërkime Shkencore, Prof. Asoc. Dr. Alma Shehu Lokaj, vijoi pjesëmarrjen në Forumin Ndërkombëtar Erasmus+ “Western Balkans in the Focus: Promoting and Deepening Cooperations in the Erasmus+ Programme”, të organizuar në Podgoricë, Mali i Zi, në kuadër të aktiviteteve të Agjencisë Gjermane për Shkëmbime Akademike (DAAD).
Dita e dytë dhe përmbyllëse e forumit u përqendrua në mundësitë e financimit, zhvillimin e partneriteteve të reja ndëruniversitare, ndërmarrësinë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve evropiane.
Në kuadër të sesioneve tematike, Prorektorja Shehu Lokaj mori pjesë në diskutimet që trajtuan ndërmarrësinë dhe rolin e universiteteve në zhvillimin e kompetencave sipërmarrëse, duke shkëmbyer ide dhe përvoja me përfaqësues të institucioneve të ndryshme evropiane.
Gjatë diskutimeve dhe aktiviteteve të rrjetëzimit, Prorektorja prezantoi orientimin strategjik të Universitetit “Haxhi Zeka” drejt ndërkombëtarizimit, zhvillimit të ndërmarrësisë dhe fuqizimit të lidhjes ndërmjet arsimit të lartë, inovacionit dhe tregut të punës.
Vëmendje e veçantë iu kushtua identifikimit të mundësive për bashkëpunim në kuadër të programit Erasmus+, përfshirë mobilitetin akademik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e iniciativave që nxisin aftësitë ndërmarrëse të studentëve.
Programi i ditës përfshiu gjithashtu prezantimin e mundësive të financimit nga DAAD, shkëmbimin e ideve për projekte të ardhshme Erasmus+, si dhe diskutimet mbi perspektivën e gjeneratës së re të programit dhe mundësitë që ajo mund të ofrojë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrja e Universitetit “Haxhi Zeka” në këtë forum përbën një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e rrjetit të partnerëve ndërkombëtarë, identifikimin e iniciativave të reja akademike dhe projekte, si dhe fuqizimin e profilit të universitetit si institucion i orientuar drejt ndërmarrësisë, inovacionit dhe bashkëpunimit evropian, transmeton UHZ.










