BallinaEKSKLUZIVERobert Hall dhe Michael Woodford fitojnë Çmimin Nobel në Ekonomi për vitin...

Robert Hall dhe Michael Woodford fitojnë Çmimin Nobel në Ekonomi për vitin 2026

-

Dy ekonomistët amerikanë u vlerësuan për kontributin e tyre në zhvillimin e modeleve ekonomike që ndihmojnë qeveritë dhe bankat qendrore të përballojnë inflacionin, recesionet dhe luhatjet ekonomike. Çmimi kap vlerën e 12 milionë koronave suedeze.

Ekonomistët amerikanë Robert E. Hall dhe Michael Woodford janë laureatët e Çmimit Nobel në Shkencat Ekonomike për vitin 2026, njoftoi të hënën Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave. Dy studiuesit u vlerësuan për punën e tyre mbi “themelet mikroekonomike të stabilizimit makroekonomik”, duke zhvilluar modele që kanë përmirësuar mënyrën se si hartohen dhe zbatohen politikat ekonomike për të zbutur luhatjet e ekonomisë. Çmimi, i njohur zyrtarisht si Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit, ka një vlerë prej 12 milionë koronash suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë, shumë e cila do të ndahet mes dy laureatëve.

Modele ekonomike për përballimin e krizave

Kontributi i Hall dhe Woodford lidhet me mënyrën se si vendimet e individëve, familjeve dhe bizneseve ndikojnë në ekonominë e përgjithshme dhe se si politikat monetare e fiskale mund të ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit ekonomik. Modelet e zhvilluara nga dy ekonomistët u mundësojnë politikëbërësve të analizojnë më mirë ndikimin e normave të interesit, pritshmërive të konsumatorëve dhe vendimeve të bizneseve në inflacion, prodhim dhe rritje ekonomike. Sipas Akademisë Suedeze, këto modele ofrojnë një bazë më të qëndrueshme teorike për politikat që synojnë të zbusin recesionet dhe luhatjet e mëdha ekonomike. Ato përdoren nga bankat qendrore dhe qeveritë për të vlerësuar masat që mund të ndihmojnë ekonominë në periudha pasigurie. Robert E. Hall është profesor emeritus në Universitetin Stanford, në Kaliforni, ndërsa Michael Woodford është profesor i ekonomisë politike në Universitetin Columbia, në Nju Jork.

Një çmim i veçantë në historinë e Nobelit

Çmimi në Shkencat Ekonomike u dha për herë të parë në vitin 1969 dhe nuk bën pjesë në pesë çmimet origjinale të përcaktuara në testamentin e Alfred Nobelit të vitit 1895. Ai u krijua nga banka qendrore e Suedisë, në vitin 1968, në kujtim të Nobelit.

Gjatë historisë së tij, çmimi u është dhënë kryesisht ekonomistëve amerikanë. Vetëm tri gra e kanë fituar deri më tani, ndërsa laureatja më e fundit ishte Claudia Goldin, e vlerësuar në vitin 2023 për studimet mbi rolin e grave në tregun e punës dhe ndryshimet gjinore në paga e punësim. Përpara shpalljes së fituesve, analiza të ndryshme kishin përmendur si kandidatë të mundshëm studiues nga fusha e politikës monetare, ekonomisë së teknologjisë së informacionit dhe teorisë ekonomike evolucionare. Vitin e kaluar, Çmimi Nobel në Ekonomi iu dha Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt për studimet mbi konceptin e “shkatërrimit krijues” dhe mënyrën se si risitë teknologjike dhe metodat e reja të prodhimit mund të nxisin rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Me shpalljen e Hall dhe Woodford, përmbyllet cikli i çmimeve Nobel për vitin 2026, duke vënë në pah rëndësinë e kërkimeve ekonomike në hartimin e politikave që synojnë stabilitetin dhe përballimin e krizave, transmeton euronewsal.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Konsullata e Kosovës në Cyrih vlerëson arritjet e Dr. med. Alvin...

0
Siç mëson helveticALforum.ch, shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, ka pritur sot Dr. med. Alvin Karaqin, një...