Prishtinë – Kombëtarja e Kosovës në futboll është nisur drejt Vjenës, ku të mërkurën mbrëma do të përballet me Austrinë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Para udhëtimit, Dardanët kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në Kosovë, me përzgjedhësin Franco Foda dhe stafin e tij që kanë punuar kryesisht në aspektin taktik dhe në përgatitjen e planit të lojës për sfidën e radhës.
Në seancën e fundit, Albian Hajdari dhe Edon Zhegrova janë stërvitur të diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit. Dy futbollistët kanë zhvilluar vrapime të lehta, pasi kanë ndier shqetësime fizike nga ndeshja e kaluar.
Ndërkohë, pjesa tjetër e skuadrës është stërvitur me intensitet të plotë, duke u fokusuar në detajet taktike dhe në detyrat që pritet t’i kenë gjatë përballjes me Austrinë.
Stafi teknik i Kosovës ka punuar me futbollistët në mënyrën se si skuadra do ta zhvillojë lojën dhe si do të përpiqet t’i përgjigjet kundërshtarit në faza të ndryshme të ndeshjes.
Dardanët në këtë përballje vijnë me moral të lartë pas fitores 1-0 ndaj Irlandës, rezultat që i ka dhënë skuadrës një shtysë të rëndësishme para sfidës në Vjenë.
Përballja ndërmjet Austrisë dhe Kosovës do të zhvillohet në Vjenë dhe do të nisë në orën 18:00. Tani mbetet të shihet nëse Kosova do të arrijë ta vazhdojë serinë pozitive dhe të marrë një tjetër rezultat të rëndësishëm në Ligën e Kombeve, transmeton rtk.










