Prishtinë – Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara duhet të trajtohen përmes ekspertizës ligjore dhe bashkërendimit institucional, duke theksuar se Ministria e Drejtësisë po analizon edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në një konferencë për media, Gërvalla tha se për çështje të tilla nevojitet kujdes i shtuar, në mënyrë që institucionet të mos bëjnë gabime gjatë trajtimit të tyre.
“Shumica e gjërave që lidhen me Dhomat e Specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime”, deklaroi ajo.
Sipas ministres, Ministria e Drejtësisë është duke e shqyrtuar projektligjin e propozuar nga PDK-ja dhe, pas përfundimit të analizës, qëndrimin e saj do t’ia përcjellë Qeverisë.
“Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë, por askush nuk duam të nxitohemi e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme”, tha Gërvalla.
Gërvalla: Reforma në drejtësi po vazhdon
Gërvalla foli edhe për gjashtë projektligjet që, sipas saj, janë proceduar në Kuvend, duke i cilësuar ato si pjesë të reformës së sistemit të drejtësisë.
Në mesin e tyre, ajo përmendi projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sipas saj, projektligji është shqyrtuar në disa faza, përfshirë vlerësimin nga Komisioni i Venecias dhe shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.
“Ky ligj nuk krijon një mekanizëm penal dhe Byroja nuk konfiskon pasuri. Projektligji parashikon një procedurë civile që zhvillohet para gjykatës”, sqaroi ministrja.
Ajo tha se roli i Byrosë do të jetë kryesisht përgatitor dhe analitik, ndërsa vendimi përfundimtar për konfiskimin e pasurisë do të merret nga gjykata.
Mohon bashkëpunimin me Dhomat e Specializuara
E pyetur për kritikat dhe kërkesat për dorëheqjen e saj pas vendimeve të Dhomave të Specializuara, Gërvalla përsëriti mohimin e pretendimeve se ka bashkëpunuar me këto institucione.
“Deklaratat që më lidhin mua në çfarëdo lloj forme me bashkëpunimin tashmë është bërë bajat, sepse i kam shpjeguar disa herë. Nuk ka në asnjë hallkë, as me EULEX-in, as me UNMIK-un, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikë takimi timin, as direkt dhe as indirekt”, tha ajo.
Gërvalla hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se ka heshtur pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara. Ajo tha se, si ministre e Drejtësisë, është fokusuar në aspektin ligjor të çështjes.
“Unë nuk kam heshtur. Unë jam Ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa unë së bashku me ekipin tim që nga dita e parë jam futur në punë me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media”, deklaroi ajo.
Sipas Gërvallës, institucionet duhet të përgatiten për fazat e ardhshme të procesit me profesionalizëm dhe pa veprime të nxituara.
“Duhet të jemi profesionistë, të mençur, me kokën të ftohtë, pa shumë bërtitje, duhet të përgatitemi për instancën e ardhshme”, u shpreh ministrja.
“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë”
Gërvalla foli edhe për protestat e zhvilluara pas vendimeve të Dhomave të Specializuara në Prishtinë, Shkup dhe qytete të ndryshme të Evropës.
Ajo tha se e kupton veçanërisht qëndrimin e familjarëve të viktimave dhe theksoi se gjatë angazhimit të saj publik ka mbajtur qëndrim në mbështetje të tyre.
“Unë kurrë nuk kam qenë, dhe sidomos kur nuk kam qenë anëtare e qeverisë, gjithmonë jam prononcuar dhe kam folur gjithmonë në anën e viktimave. Sepse mendoj që ka nevojë për zëra të fortë të cilët flasin për viktimat”, deklaroi ajo.
Duke folur për protestat, Gërvalla tha se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të shprehin qëndrimet e tyre në mënyrë demokratike.
“Unë jam shumë e lumtur që ne jetojmë në një Kosovë të lirë, në një Kosovë të pavarur, në një Kosovë demokratike ku secili qytetar ka të drejtë të protestojë”, tha ajo.
Ajo i cilësoi protestat e zhvilluara si “dinjitoze”, duke vlerësuar se, sipas saj, ato janë zhvilluar nga qytetarët dhe nuk duhet të politizohen apo të provokohen.
E pyetur nëse do t’u bashkohet protestuesve, Gërvalla tha se rolin e saj e sheh në përmbushjen e detyrave institucionale.
“Unë mendoj që koha ime është shumë e rëndësishme të luaj rolin dhe të plotësoj detyrën time në këtë institucion, sesa të reklamoj vetveten nëpër protesta”, deklaroi ajo. Gërvalla përfundoi duke theksuar se fokusi i saj mbetet puna në Ministrinë e Drejtësisë dhe avancimi i reformave në sistemin e drejtësisë, transmeton rtk.










