Helsinki – Mërgata shqiptare në Finlandë është mbledhur në qendër të Helsinkit në një tubim në mbështetje të ish-krerëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qindra bashkatdhetarë u mblodhën në sheshin kryesor të kryeqytetit finlandez, duke shprehur solidaritetin e tyre dhe duke kërkuar drejtësi për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Në mesin e protestuesve u panë flamuj kombëtarë shqiptarë dhe simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pjesëmarrësit përcollën mesazhe përkrahjeje për ish-krerët e UÇK-së dhe theksuan rëndësinë që, sipas tyre, të ruhet e vërteta mbi luftën e Kosovës.
Gjatë tubimit, protestuesit deklaruan se lufta për çlirimin e Kosovës duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe se, sipas tyre, kontributi i UÇK-së në çlirimin e vendit nuk duhet të njolloset apo të rishkruhet.
Tubimi në Helsinki është pjesë e mobilizimit të mërgatës shqiptare në vende të ndryshme të Evropës, ku janë zhvilluar protesta dhe tubime solidarizuese lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së.
Ndërkohë, protesta po zhvillohen edhe në Prishtinë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur për të shprehur qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimet në Dhomat e Specializuara.
Tubimet e mërgatës shqiptare në Evropë dhe protestat në Kosovë po shoqërohen me thirrje për drejtësi dhe me kërkesa që proceset ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të bazuar në fakte, transmeton rtk.










