Kombëtarja portugeze do ta nderojë Cristiano Ronaldon në përballjen me Danimarkën. Përveç fanellave me numrin legjendar 7, në minutën e shtatë të ndeshjes është planifikuar edhe një homazh simbolik për yllin e futbollit botëror.
Kombëtarja e Portugalisë ka përgatitur një homazh të veçantë për Cristiano Ronaldon, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme me fanellën e përfaqësueses portugeze. Në ndeshjen e së shtunës kundër Danimarkës, të gjithë futbollistët portugezë pritet të zbresin në fushë me fanellën me numrin 7, numrin që për më shumë se dy dekada është bërë simbol i një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e futbollit. Sipas mediave portugeze, Diário de Notícias dhe A BOLA, iniciativa është diskutuar në një takim të zhvilluar të enjten, ku kanë marrë pjesë presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, përzgjedhësi Jorge Jesus dhe kapitenët Bernardo Silva, Rúben Dias e Bruno Fernandes. Homazhi synon të nderojë rrugëtimin e Ronaldos me kombëtaren, që nga debutimi në gusht të vitit 2003 e deri te përfundimi i karrierës së tij ndërkombëtare. Përveç fanellave me numrin 7, një tjetër moment emocionues është planifikuar në minutën e shtatë të takimit, kur pritet që edhe tifozët në stadiumin e Bragës të bëhen pjesë e këtij nderimi. Sipas raportimeve, të dyja iniciativat kanë marrë miratimin paraprak të UEFA-s. Federata Portugeze e Futbollit ka ndërmarrë edhe një gjest tjetër simbolik në shenjë respekti për ish-kapitenin. Dhoma që Cristiano Ronaldo zakonisht përdorte në qendrën stërvitore të kombëtares është lënë bosh gjatë grumbullimit aktual.
Kjo nismë dëshmon peshën që Ronaldo ka pasur dhe vazhdon të ketë në historinë e futbollit portugez. Ai nuk është vetëm një emër i lidhur me numrin 7, por edhe një figurë që ka shënuar një epokë të tërë të kombëtares së Portugalisë. Portugalia dhe Danimarka do të përballen të shtunën, nga ora 20:45, në kuadër të xhiros së pestë të Grupit A4 të Ligës së Kombeve. Megjithatë, vëmendja e kësaj mbrëmjeje pritet të jetë e përqendruar edhe te nderimi për një legjendë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin botëror, transmeton euronewsal.










