Prishtinë – Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se koalicioni i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje do të presë certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve përpara se të marrë vendime lidhur me bashkëpunimet politike, formimin e institucioneve apo procesin e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së vendit.
Në një deklaratë për media, Gërvalla theksoi se çdo vendim politik duhet të mbështetet në rezultatin zyrtar dhe në mesazhin që qytetarët kanë dhënë përmes votës së tyre.
“Kur t’i kemi rezultatet e certifikuara do të shohim se cilat janë mundësitë që na ofrohen. Shpresoj dhe jam optimiste që nuk do të përballemi sërish me bllokada të pakuptimta dhe me pengim të funksionimit të institucioneve të shtetit. Edhe para zgjedhjeve ofertat tona kanë qenë më shumë se bujare, por ato janë refuzuar. Besoj se mandati i fuqishëm që e jep vota e qytetarit do të respektohet deri në fund”, tha ajo.
Sipas Gërvallës, aktualisht nuk ka diskutime konkrete për koalicione apo bashkëpunime me subjektet e tjera politike, pasi prioritet mbetet pritja e rezultateve përfundimtare dhe interpretimi i qartë i vullnetit qytetar.
“Ne nuk po diskutojmë as për vija të kuqe dhe as për koalicione. Këto do t’i shqyrtojmë vetëm pasi të kemi rezultatin përfundimtar dhe të certifikuar, në mënyrë që ta kuptojmë qartë mesazhin e qytetarëve. Nëse nuk e kuptojmë dhe nuk e respektojmë atë mesazh, atëherë bëjmë një gabim të madh”, theksoi ajo.
Duke komentuar rezultatin zgjedhor, Gërvalla vlerësoi se koalicioni i udhëhequr nga Vetëvendosje ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga elektorati, duke shtuar se ky vullnet duhet të respektohet në proceset e ardhshme politike dhe institucionale.
Deklaratat e saj vijnë në një periudhë kur skena politike në Kosovë po pret certifikimin zyrtar të rezultateve zgjedhore, proces që pritet të përcaktojë hapat e ardhshëm për krijimin e institucioneve të reja dhe konfigurimin e mundshëm të shumicës parlamentare, transmeton rtk.




