Protesta qytetare ndaj projektit turistik në zonën e Zvërnecit ka shënuar ditën e saj të 15-të radhazi të tubimeve në kryeqytet. Protestuesit janë mbledhur sërish për të kundërshtuar ndërtimin e resortit të parashikuar, një investim masiv që kap vlerën e 4 miliardë dollarëve.
Marshimi nisi me grumbullimin e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, nga ku ata marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur përpara godinës së Kryeministrisë. Nën thirrjet e vazhdueshme “Rama jepe dorëheqjen”, “Narta, Zvërneci në fyt do ju ngecin” dhe “Shqipëri e re”, demonstruesit kanë shprehur qëndrimin e tyre, duke kërkuar jo vetëm anulimin e projektit, por edhe ndryshime rrënjësore politike e ligjore në vend.
Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve në shesh, lëvizja qytetare tashmë është strukturuar rreth pesë pikave të panegociueshme drejtuar autoriteteve:
Dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama.
Krijimi i një Qeverie Teknike.
Shfuqizimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura.
Shfuqizimi i Ligjit për Investimet Strategjike.
Anulimi i plotë i projektit të njohur si “Paketa e Maleve”.
Përveç pankartave dhe flamujve, lëvizja ka marrë një ton politike, duke u pozicionuar hapur kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi. Ndërsa fillimisht shkak për nisjen e tubimeve u bë mbrojtja e ekosistemit të Zvërnecit dhe Nartës nga ndikimi i mundshëm i resortit, pas dy javësh qëndresë, kërkesat e demonstruesve janë zgjeruar, duke synuar direkt shfuqizimin e paketave ligjore që lidhen me investimet strategjike dhe mjedisin në Shqipëri, transmeton rtsh.




