TURNIRI TRADICIONAL 2026 I LAPSH-IT NË CYRIH: NJË FESTË E GJUHËS, KULTURËS DHE UNITETIT SHQIPTAR
Më 14 qershor 2026, siç transmeton helveticALForum.ch, Qendra Sportive Heerenschürli në Cyrih u mbush me energji, buzëqeshje dhe krenari shqiptare, ku u zhvillua Turniri Tradicional 2026 në futboll i Shkollës Shqipe LAPSH për Kantonin e Cyrihut, me pjesëmarrjen e nxënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, të ndarë në tri kategori grupmoshash. Fjalën përshëndetëse e mbajti Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, i cili përgëzoi mësimdhënësit dhe organizatorët për punën e tyre të palodhur në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare në mërgatë. Ai falënderoi prindërit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shkollës Shqipe dhe u uroi nxënësve suksese, duke theksuar se ata janë ambasadorët më të mirë të së ardhmes sonë. Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Cyrihut, z. Naser Ulaj, i cili shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e ngushtë të prindërve dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në ruajtjen e identitetit shqiptar tek brezat e rinj, ndërsa nxënësve u uroi suksese në këtë turnir. Pas hapjes zyrtare të turnirit nga Konsulli i Republikës së Kosovës, z. Vigan Berisha, dhe kryetari i LAPSH Cyrih, z. Naser Ulaj, ndeshjet vazhduan me radhë deri në orët e pasdites, duke sjellë emocione të shumta, momente gëzimi dhe sjellje të shkëlqyer sportive.

Ky aktivitet nuk ishte thjesht një garë sportive, por një festë e bukur e bashkimit, miqësisë dhe përkatësisë sonë kombëtare. Fëmijët tanë, të shoqëruar nga prindërit dhe mësimdhënësit e tyre, sollën në fushë jo vetëm talentin sportiv, por edhe dashurinë për sportin, gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar. Në këtë turnir morën pjesë 14 ekipe të grupmoshave të ndryshme. Ndeshjet u zhvilluan në dy fusha sportive, ndërsa atmosfera u bë edhe më e veçantë falë përkrahjes së pandërprerë të prindërve, mësimdhënësve dhe të gjithë të pranishmëve, të cilët me duartrokitjet dhe brohoritjet e tyre krijuan një atmosferë të paharrueshme për nxënësit.

Renditja sipas grupmoshave
Klasat 1–3
🥇 Shqipet
🥈 Dardanët
🥉 Adem Jashari
Klasat 4–6
🥇 Golden Eagle
🥈 FC UÇK
🥉 Besim Ndrecaj
Klasat 7–9
🥇 FC LAPSH
🥈 FC KOSOVA
🥉 Prindër & LAPSH
Në përfundim të turnirit, u ndanë medalje për të gjitha ekipet fituese, si dhe medalje të veçanta për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, sepse fitues të vërtetë ishin të gjithë ata që me buzëqeshje, respekt dhe shpirt ekipor u bënë pjesë e kësaj dite të veçantë. Ky turnir dëshmoi edhe një herë se Shkolla Shqipe LAPSH Cyrih është shumë më tepër se një vend ku mësohet gjuha amtare. Ajo është një urë që lidh brezat me rrënjët e tyre, një vatër që ruan kulturën dhe identitetin tonë, si dhe një hapësirë ku ndërtohen miqësi, kujtime dhe vlera që do t’i shoqërojnë fëmijët tanë gjatë gjithë jetës.

Një falënderim i veçantë shkon për sponsorët, për të gjithë mësimdhënësit, prindërit, organizatorët, vullnetarët dhe çdo person që kontribuoi në realizimin e këtij aktiviteti sportiv. Turniri Tradicional 2026 i LAPSH-it në Cyrih mbetet një shembull i shkëlqyer i angazhimit të komunitetit shqiptar në mërgatë për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke dëshmuar se përmes sportit dhe arsimit ndërtohen ura të forta bashkëpunimi dhe vlera që do të jetojnë brez pas brezi, njofton LAPSH-Zürich, përcjell helveticALForum.ch.
Foto Lulzim Hasi




