POSTIMET E FUNDIT

VIGAN BERISHA: FËMIJËT TANË JANË KRENARIA JONË DHE GARANCIA MË E MIRË PËR TË ARDHMEN E KOMBIT

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Turniri Tradicional i LAPSH-it në Cyrih bashkon nxënësit, prindërit dhe komunitetin shqiptar

Cyrih, 15 qershor 2026 – Në një atmosferë të mbushur me entuziazëm, sportivitet dhe frymë kombëtare, dje më 14 qershor e diele u zhvillua Turniri Tradicional 2026 i Shkollës Plotësuese shqipe LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Cyrihut. Aktiviteti, tashmë i kthyer në një traditë të dashur për komunitetin shqiptar në Zvicër, mblodhi së bashku nxënës, prindër, mësimdhënës, vullnetarë dhe dashamirë të arsimit shqip. Ky organizim vazhdon të pritet me interes të madh nga të rinjtë shqiptarë dhe familjet e tyre, duke dëshmuar rëndësinë që ka jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në forcimin e lidhjeve mes komunitetit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në mërgatë.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Shefi i Misionit të Përgjithshëm Konsullor në Cyrih, z. Vigan Berisha, i cili me pjesëmarrjen e tij tregoi edhe një herë mbështetjen e vazhdueshme për arsimin shqip dhe veprimtaritë e komunitetit tonë në Zvicër.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale pas përfundimit të aktivitetit, z. Berisha vlerësoi lart punën e mësimdhënësve dhe organizatorëve, të cilët me përkushtim të madh ruajnë dhe kultivojnë gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar në mërgatë. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje të veçantë për prindërit, të cilët vazhdojnë të mbështesin Shkollën Shqipe dhe edukimin e fëmijëve të tyre në frymën e vlerave tona kombëtare. Një moment i veçantë i turnirit ishte edhe gjuajtja simbolike e topit të parë për hapjen zyrtare të garave. Me modestinë që e karakterizon, z. Vigan Berisha, së bashku me kryetarin e LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut, Prof. Naser Ulaj, dhanë startin e këtij aktiviteti sportiv, i cili u shndërrua në një festë të vërtetë për të gjithë pjesëmarrësit.

Gjatë qëndrimit të tij mes nxënësve dhe prindërve, z. Berisha përcolli mesazhe inkurajuese për të rinjtë shqiptarë, duke i nxitur ata të ruajnë gjuhën shqipe, traditat dhe kulturën tonë kombëtare, por njëkohësisht edhe të kultivojnë miqësinë e përhershme me shtetin mik të kombit tonë, Zvicrën, e cila prej dekadash ka mirëpritur dhe mbështetur komunitetin shqiptar. Edhe pse java që lamë pas ishte e ngarkuar me angazhime të shumta institucionale, z. Berisha gjeti kohë që edhe të dielën të ishte pranë LAPSH-it në Cyrih, për të përkrahur mësimdhënësit, prindërit dhe të gjithë ata që kontribuojnë në edukimin e brezave të rinj. Prania e tij u vlerësua si një dëshmi e qartë se institucionet shqiptare-Kosovës janë pranë bashkatdhetarëve dhe në shërbim të tyre.

Në bashkëbisedimet e shumta me pjesëmarrësit, z. Berisha u dallua për komunikimin e tij të drejtpërdrejtë dhe sinqeritetin që tashmë e karakterizon. Pikërisht kjo qasje ka bërë që ai të gëzojë respekt dhe autoritet të konsiderueshëm në mesin e mërgimtarëve shqiptarë, të cilët e shohin si një bashkëbisedues të afërt dhe frymëzues në aktivitetet e komunitetit. Turniri dëshmoi edhe një herë se Shkolla Plotësuse Shqipe nuk është vetëm një vend ku mësohet gjuha amtare, por një vatër e rëndësishme e ruajtjes së identitetit tonë kombëtar, e forcimit të lidhjeve ndërbreznore dhe e promovimit të vlerave të bashkëpunimit, respektit dhe unitetit.

Fëmijët shqiptarë garuan me pasion, respekt dhe shpirt ekipor, duke dhënë shembullin më të mirë të edukimit dhe formimit që marrin në familje dhe në shkollë. Në fund të aktivitetit, u uruan të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe fituesit e turnirit, ndërsa falënderime të veçanta iu drejtuan LAPSH “Naim Frashëri” në Cyrih, mësimdhënësve, prindërve, sponsorëve, vullnetarëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin e kësaj dite të veçantë. Ky aktivitet ishte një tjetër dëshmi se investimi në arsimin shqip dhe në edukimin e brezave të rinj mbetet garancia më e mirë për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Fëmijët tanë janë krenaria jonë dhe shpresa më e madhe për të ardhmen e kombit shqiptar. / helveticALForum.ch

Foto nga Lulzim Hasi

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB