Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të vizitojë Kosovën më 3 qershor në kuadër të një turneu katërditor në Ballkanin Perëndimor, i cili nis të hënën në Bosnje dhe Hercegovinë dhe përfundon të enjten në Mal të Zi.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Costa pritet të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, kryeministrin në detyrë, si dhe me liderët e partive opozitare. Vizita vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po përpiqet të rikthejë dinamizmin në procesin e zgjerimit dhe të forcojë angazhimin ndaj vendeve të rajonit.
Në prag të nisjes së turneut, Costa deklaroi se vizita e tij përcjell një mesazh të qartë se angazhimi i Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor është real dhe se perspektiva e anëtarësimit mbetet e hapur. Ai theksoi se ekziston një momentum i ri në procesin e zgjerimit, por nënvizoi se vendet aspirante duhet të dëshmojnë përparim të prekshëm përmes reformave dhe rezultateve konkrete.
Ky momentum shihet veçanërisht në rastin e Malit të Zi, i cili konsiderohet si kandidati më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe mund të bëhet shteti i ardhshëm anëtar para fundit të kësaj dekade.
Turneu i presidentit të Këshillit Evropian do të kulmojë me pjesëmarrjen e tij në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, i cili mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi. Në fokus të samitit do të jenë perspektiva e zgjerimit të BE-së, reformat e nevojshme për integrim dhe bashkëpunimi rajonal.
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në samitin e Tivatit, ajo do të përfaqësohet nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, transmeton rtk.




